Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, ka bërë të ditur se përkundër lajmeve për interesimin nga Real Madridi, ai mbetet i përqendruar në punën e tij te klubi londinez, duke shtuar se ai nuk mund të bëjë asgjë për këto spekulime.

Lopetegui u shkarkua nga pozita e trajnerit të Real Madridit një javë më parë, pas disfatës me rezultat 5-1 në El Clasico. Ai e humbi këtë punë pasi që nuk kishte arritur të siguronte rezultate të mira këtë sezon.

Në vend të tij, tani ka ardhur Santiago Solari, i cili kishte qenë trajner i Real Madrid Castillas. Ai u emërua në këtë pozitë për dy javë, para se bordi drejtues i klubit madrilen ta marrë vendimin përfundimtar për këtë pozitë.

Në media ishte raportuar se Real Madridi i kishte ofruar Pochettinos 18 milionë euro në vit për t’u larguar nga Tottenhami, megjithatë argjentinasi sapo e ka nënshkruar një kontratë të re me londinezët këtë vit dhe ka bërë të ditur se ai nuk mendon të largohet.

“Shikoni, unë jam shumë i përqendruar në punën time në Tottenham. Një spekulim i ri shfaqet çdo ditë. Ky spekulim për të cilin po më flisni mua u kundërshtua brenda të njëjtës ditë nga mediat. Shumë gjëra ndodhin”, ka thënë Pochettino.

“Gjëja më e rëndësishme është që njerëzit ta dinë se unë jam i përqendruar në Tottenham, jam shumë i përgjegjshëm në punë. Tifozët duhet dinë këtë dhe pronari Daniel Levy duhet ta di këtë gjë gjithashtu”.

“Unë jam i përqendruar në Tottenham, jam duke punuar shumë për t’i ndihmuar klubit të arrijë sa më shumë. Thashethemet janë thashetheme dhe shfaqen gjithmonë, jo vetëm në Tottenham, por në çdo ekip. Nuk mund të bëjmë asgjë për këto spekulime”.