Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka reaguar në lidhje me veprimin e avokatit Tomë Gashi ndaj një lypësi në shesh që i shqelmon paratë e mbledhura të tij.

Ajo e ka konsideruar jonjerëzore sjelljen e tij dukë thënë se të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe duhet trajtuar me dinjitet.

“Nuk është njerëzore e as e drejtë të sillesh me përçmim dhe të ngacmosh më të varfrit dhe më të dobëtit. Çdokush duhet ta dijë, e sidomos ata që merren me drejtësi, se respektimi i plotë i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është i garantuar për secilin dhe duhet të respektohet nga secili”, ka shkruar ajo në Facebook.

Gjithashtu Nagavci tha se “zhurma e lypsarit s’do të duhej të heshtet, ajo është zhurmë që bënë thirrje për reflektim përtej saj. Republika e Kosovës ka organet, institucionet e entet që do të duhej të merreshin me secili rast dhe atë në mënyrë shumë të ndjeshme dhe asesi një qytetar të vendos vet drejtësi, kushdo qoftë ai”.

“Është obligim i institucioneve për të krijuar kushte e mirëqenie për qytetarët, për t’u siguruar se inspektorati kryen punën e vet, se keqbërësit marrin përgjegjësi sipas ligjit e ata në nevojë mbështeten e përkrahen”.

“Akti i mbrëmshëm është i gabuar dhe nuk mund të justifikohet. Dënoj çdo akt e sjellje që cenon apo denigron tjetrin, pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt ushtrohet”.

Nënkryetarja e Kuvendit ka cituar edhe nenin 1 e Deklaratës së Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut.

“Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me frymë vëllazërimi”.

Ndërkaq, vetë Gashi e ka arsyetuar këtë me anë të një postimi në Facebook, ku  thotë se ka kryer punën e inspekcionit.

“Tu e kry punën e inspekcionit mas dy vjet britmash të çmendura ditë e natë në sheshin Nënë Tereza! Këta kanë shefa me mercedesa dhe janë tregu për mbi 2 vite grup më i organizuar se inspekcioni i Prishtinës.!”, ka shkruar ai.