Rreth shtratit të butë të Nina. M,
qëndrojnë mbi krye tre gra të veshura me të bardha,
Të bukura si shëmbëlltyra që kurrë s’ka parë.
Të çuditshme, si kuaj gjigandë të errësirës.
Ja mbulojnë trupin me të ëmbla e të hijshme fjalë, fytyrën ja lënë jashtë.
Tre gra, në të bardha veshur, ngjashëm si ëngjëj,
Dëshira, Dashuria dhe Vdekja, presin.
Dhe një çast nga thellësi e gjoksit të Nina. M
kumbon një zë i dobët dhe melodioz,
kërkon Dëshirën t’i avitet dhe në vesh
të saj merr frymë thellë, rënkon dhe thotë:

O Dëshirë, e bukur dhe e bardhë
që buzës së ngrohtë si fjollë dëbore më shkrije,
nuk munda kurrë të të kapërdij e të t’shijoj.
Shpend më ishe a vetëtimë në të largët qiell ?
Mu si gozhdë tëmthat e mi shqyeje
dhe netët të shtynin thellë e më thellë në fundshpirt,
të të hapja derën nga vetja ruhesha mos ik
Dhe paguaja paq mungesën tënde
me virtytet e mija të pashmangshme me frikë.
Dëshirë e bukur, më puth,
ulu këmbëkryq në fronin e buzëve pa droj’
se tashmë jam unë akulli dhe prit ç’do të
ndodhë.

Eja ti, Dashuri, e bardhë,
Afrohu, tashmë mund t’i themi dy tri fjalë,
të të puth dhe ty mes ballit.
Po çdo të isha unë pa ty? Një frut i papjekur
a një kërcu? Zbërthemë tani, mes rrjeshtash
po t’jesh e aftë e t’kuptosh gjithë kohës ku të fshihja,
të erdhi ora të më shkallmosh fjalë për fjalë.
Hyr brenda e të shohësh ç’bijë ke rritur
o nënë , ka të ngjarë të jem e pastër
e dhembshur, si ty e brishtë.
Qëndro Dashuri e bardhë, në zemër të të puth,
në formën tënde, atjetej do futemi në një tjetër.
Bëj durim se kohën e mbërthejmë pas dhëmbësh gjer t’i them dhe Vdekjes dy tri fjalë.

Vdekje, o vdekje, tani rradha jote erdh’ ,
afrohu me ngadalë o fundi im e mos më tremb.
Më je kaq e bukur veshur në të bardhë,
kaq e ëmbël teksa duart më prek.
Më prisje? Ja ku jam, e dorëzuar në shtratin e fatit, e mbuluar me të ëmbla e të hijshme fjalë.
Sikur ta dija se do vinte e jotja mbretëri kaq papritur
do shfaqesha m’e bukur se ty, teksa t’shoh fytyrën.
Merre daltën Vdekje e bardhë
dhe gdhend në trupin tim një shtatore antikiteti,
punoje bukur mermerin e me ndjenjë, të duket prekja
jote nëpër kofshë e krahë, e kush ta shohë
të mbetet i shtangur e të mendojë
“kjo vepër arti të trondit si vdekja”.

Ejani, ti Dëshirë, ti Dashuri dhe Vdekje.
U njohëm rrugës së dëshpërimit dhe gjithë
moskuptimi midis meje dhe fatit,
erdh nga naiviteti i të dy palëve,
por dhe peshku në skuarium e di (unë s’e dita)
që në ujëra të ndjenjura do vdes një ditë
Fati i tij nuk qe caktuar aty.
Oh, njeriu ofendon dhe jetën nga mosdija .
Ejani, m’e qetë s’kam qenë kurrë më parë,
po pse gjithë ky mall për çfarë iku dhe pak i preka? Ika, u treta !

Rreth shtratit të butë të Nina. M
qëndrojnë mbi krye tre gra, të bukura e të heshtura.
Kujdesshëm trupin ja mbulojnë me të ëmbla
e të hijshme fjalë, fytyrën ja lenë jashtë.
Tre gra, në të bardha veshur, ngjashëm si ëngjëj.