Legjenda e boksit dhe Kryetari i klubit të boksit ‘Prishtina’, Aziz Salihu, sot ka mbajtur një konferencë për media, ku ka shprehur shumë pakënaqësi.

Salihu thotë se shteti i Kosovës nuk e ka mbështetur ende financiarisht për turneun “Kolosët e boksit të Kosovës”, kushtuar gjeneratës së artë të klubit Prishtina, i cili u mbajt me 28 tetor të këtij viti.

Ai ka treguar se këtë turne e ka mbajtur me paratë e dedikuara për kontrroll mjekësor në Turqi, dhe pret që qeveria e Kosovës, t’ia ndajë 3,500 eurot e premtuara.

“Kam bërë mirë që e organizova turneun, sepse boksierët e gjeneratës së artë të klubit të boksit Prishtina janë heronj. Kanë bërë që Kosovën ta njohë krejtë bota. Mbajtja e turneut më dështoi dy herë, por unë ftova disa boksierë për ta mbajtur turneun. Vajza ime Monika e cila mban edhe financat e mia për kontrolla mjekësore më shtyu ta mbaj turneun. Më dha paret e kontrollës që kisha ta bëj në Turqi dhe ato pare ia dhash boksierëve që ishin pjesëmarrës në turne. Unë isha sot në Qeveri dhe këshilltarët e kryeministrit më thanë që vendimi për ndarjen e 3,500 eurove është marrë dhe do të më dalin. Por, unë ende nuk i kam marrë këto mjete. Deri kur unë duhet të vrapoj pas tyre për të më mbështetur. Është turp që po injorohem në këtë formë”, ka thënë Salihu.

Boksieri i parë shqiptar që e ka fituar medaljen e bronztë olimpike në Lojërat Olimpike “Los Angleses 1984”, ka thënë se nuk e ka ndërmend të ndalet, pasi do të vazhdojë që të mbajë turne në të ardhmen.

Salihu ka pasur pakënaqësi edhe për turneun “Adem Jashari”, që u mbajt në Mitrovicë në fund të muajit të kaluar. Ai ka thënë se nuk është nderuar ashtu siç e meriton, pasi është themelues i turneut “Adem Jashari”, por më pas organizimin e këtij turneu e ka marrë përsipër Federata e Boksit e Kosovës.

“Edhe në turneun ‘Adem Jashari’ si themelues që jam më është bërë padrejtësi. Kam pritur se do të jem pjesë e organizimit, por jam injoruar. Edhe themelues i Komitetit Olimpik të Kosovës jam e as aty nuk kam vend. Nëse vazhdoj të injorohem më duhet t’i kërkoj falje popullit tim dhe të shkoj të kërkojë ndihmë nga Serbia dhe Maqedonia. Nuk është në rregull që unë të mbes jashtë nga gjitha insitucionet e disa këshilltar që kanë bërë miliona në kurriz të popullit të vendosin për vendin. Nuk do të më ndal asgjë për dhe do të vdes si burrat. Prandaj i lus që sa më shpejtë t’i lëshojnë paret që unë ta kem mundësinë të bëjë edhe një kontrollë në Turqi”, është shprehur Salihu.