Shoqata numizmatike shqiptare “Demastion” ka alarmuar për mbylljen dhe shuarjen e Muzeut Etnologjik të Prizrenit, institucion me të cilin menaxhon vetë. Sipas kësaj shoqate, me vendim të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ky institucion nuk do të funksionojë më, për shkak se Komuna ka kërkuar lirimin dhe dorëzimin e objektit.

Kjo shoqatë i ka bërë kërkesë Komunës për vazhdimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, por pas dy muajsh në pritje të përgjigjes, sipas tyre, zyrtarët komunalë kanë vendosur të kërkojnë lirimin e objektit.

Në anën tjetër, zyrtarë komunalë thonë se një vendim i prerë ende nuk është marrë, por nuk përjashtojnë mundësinë që objektit t’i ndërrohet destinimi. Për këtë çështje kanë edhe ankesa të tjera në adresë të shoqatës, që tash më shumë se pesë vjet e ka në shfrytëzim monumentin që mbrohet si “Shtëpia e Musa Sheh Zades” në Qendrën Historike të Prizrenit. Objekti i ndërtuar më 1827-1829 iu nënshtrua restaurimit të plotë më 2012-2013 dhe në shtator të 2013-s u inaugurua si Muze Etnologjik Regjional i Prizrenit, pas nënshkrimit të memorandumit midis “Demastion” dhe Komunës së Prizrenit.

Sipas reagimit në faqen e Facebookut, Muzeu Etnologjik Regjional në Prizren është financuar nga Fondi për trashëgimi kulturore i Ambasadës Amerikane, si dhe me bashkëfinancimin e Komunës së Prizrenit dhe implementuar nga IRD (International Relief and Development) dhe Komuna e Prizrenit – Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor.