Tridhjetë e dy persona të moshave dhe etnive të ndryshme kanë kujtuar përjetimet e tyre, sidomos ato të kohës së luftës së fundit në Kosovë, në librin “Dheu i ofshamës”, që është promovuar të mërkurën mbrëma në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Rrëfimet janë shoqëruar me piktura dhe fotografi që dokumentojnë historitë familjare të anëtarëve të dy grupeve me 16 anëtarë, që gjatë viteve 2016-2018 ishin pjesë e trajnimeve të organizatës joqeveritare “Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes”(ANP) në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, të mbështetur nga KURVE Wustrow – Qendra për Trajnime dhe Rrjetëzim Kundër në Aksionin e Padhunshëm – të përkrahur nga Ministria Federale për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik e Gjermanisë.

Në “Dheu i ofshamës”, njerëz nga pjesë të ndryshme të Kosovës tregojnë rrëfimet e tyre në kohë të vështira, për mbijetesën dhe për kujtimet që nuk iu ndahen edhe pothuajse dy dekada pas përfundimit të luftës.

Duke folur rreth projektit të bashkëpunimit dhe përvojave, Benjamin Blankner koordinator i KUVRE Wuster, ka pohuar ndër të tjera se libri ‘Dheu i ofshamës” është një libër me rrëfime të guximshme dhe pavarësisht se përballet me një temë të vështirë ka anët pozitive, sidomos mënyra se si pjesëmarrësit kanë rrëfyer të kaluarën e tyre.

Ndërsa Emine Ismajli nga OJQ “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”, duke falënderuar donatorin e projektit, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, ka thënë se në promovim se libri “Dheu i Ofshamës” përmbledh rrëfime të dokumentuara, punime artistike dhe fotografi të secilit prej njerëzve që ishin pjesëmarrës në projekt dhe që janë përfshirë në libër.

“Është shumë e vështirë të dokumentohet e kaluara, pasi  shtëpitë janë djegur, janë djegur kujtimet, mungojnë fotot, por secili prej njerëzve brenda vetes ruan gjëra që janë skalitur përjetë, ngjarje traumatike të cilat nuk mund t’i harrojmë”, ka thënë Ismajli.

“Na flasin për veten e tyre, familjet, miqtë, të njohurit dhe të gjithë të tjerët që takuan në këtë rrugëtim për të mos u parë më kurrë me ta. Përshkruajnë ngjarje historike në kohëra të ndryshme kohore, e në mënyrën të veçantë na sjellin në kujtesë vitet 1998-99, kohën e luftës së fundit në Kosovë”, thuhet në anën e pasme të kopertinës së librit.

Për më shumë ndiqeni videon: