Çdo vepër që identifikohet si maltretim ndaj kafshëve shtëpiake apo edhe të rrugës, konsiderohet si vepër penale dhe  ndëshkohet me gjobë apo edhe me burgim. Kështu së paku thuhet në Kodin e ri penal të Republikës ku në nenin 346 paragrafi 2.1.  sqarohet se “keqtrajtimi” nënkupton veprimin apo mosveprimin me të cilin kafshës i shkaktohen vuajtje, dhembje apo shqetësime të rënda, të cilat në shkallën dhe rrethanat në të cilat paraqiten janë të tepruara dhe të panevojshme.

Por, përderisa të gjitha këto janë të sqaruara decidivisht, ende e tutje vazhdon neglizhenca ndaj rasteve të lajmëruara në institucionet përgjegjëse.  Bie fjala, pavarësisht se organizimi i luftërave me qen konsiderohet vepër penale dhe ndëshkohet edhe me burgim, beteja të tilla vazhdojnë të organizohen anekënd Kosovës. Organizatorët postojnë video me pamje të tmerrshme nga këto luftëra, aktivistët dhe qytetarët vazhdojnë ta njoftojnë policinë, duke ua dërguar të gjitha informatat e nevojshme dhe asgjë serioze nuk është ndërmarrë deri tashti në këtë drejtim. E shumëta , organizatorët e tillë kanë përfunduar vetëm me një bisedë informative në polici prej nga janë lëshuar përnjëherë.

Neglizhencën dhe mosprofesionalizmin e policisë, ditë më pare në lëkurë të vetë e përjetoi edhe themeluesja e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, Elza Ramadani, e cila teksa po ushqente qentë e parkut u kërcënua me thikë nga një person në parkingun e pishinës së Gërmisë . Sipas saj, personi që e kërcënoi me thikë kishte thënë se “të gjithë qentë endacakë janë të pistë, të rrezikshëm dhe duhet të vriten”. Ramadani lajmëroi rastin në stacionin Qendra në Prishtinë, ku sipas saj, aty u kërcënua nga 3 policë, rreshteri Avdyl Kaciu dhe dy të tjerë pa uniformë,  të cilët citohet t’i kenë thënë se do ta ndëshkojnë nëse e shohin duke ushqyer përsëri qenë në rrugë dhe se do t’i gjejnë diçka nga kodi penal për ta arrestuar.

Dhe kur është fjala për të pambrojturit, drejtësia po vazhdon ta shfaqë dorën e saj të hekurt.  “Efikasitetin” institucional kësaj radhe mund ta shohim te rasti i një dashamirëse të kafshëve në Pejë.

Vajza nga nga Peja (emër i njohur për redaksinë) në shtëpinë e saj ka 3 qen,  një 14, tjetrin  9 dhe një vogëlush 3 vjeçar, që të gjithë të adaptuar nga rruga.

Përveç kësaj dashamirësja e kafshëve për një periudhë të shkurtër është kujdesur edhe për gjashtë klysh, pesë prej të cilëve tashmë i ka dhënë për adaptim.

Por, përkundër  që vajza thotë se asnjëherë nuk ka patur ankesë nga askush, në dhjetor të vitit të kaluar nga Inspektorati Sanitar në Pejë është gjobitur me 1000 euro dhe  po ashtu i është kërkuar që qentë  t’i largojë nga shtëpia brenda 7 ditëve.

Ajo tregon për Gazetën Observer se në momentin kur Inspektoriati ka vizituar oborrin e shtëpisë së saj ajo nuk ka qenë aty, por në punë dhe se nuk e di arsyen pse ka filluar e gjithë kjo.

“ Kanë shkruar një të pavërtetë”, thotë vajza. “Thonë se i kam 16 qen, mirëpo unë jetoj me 200 euro, nuk do t’kisha me çka t’i mbajë. Kjo është absolutisht e pavërtetë”.

Pasi nuk ka paguar gjobën, rasti i saj ka shkuar në Gjykatën Themelore në Pejë  ku më 15 prill do ta ketë seancën.

Ajo nuk e sheh të drejtë që t’i largojë qentë nga shtëpia dhe thotë se nuk i bindet këtij urdhëri.

“Qentë nuk i largoj nga shtëpia. I dua me shpirt. I kam rritë vet nga fillimi…Qeni që i ka 9 vjet  ka qenë i sëmurë nga parvo. E kam shpëtu, ka mbijetu…Këta janë të mitë”, flet me dëshpërim ajo.

Kontaktuar nga Gazeta Observer, Xhevat Nikçi, Inspektor i Ambientit në Komunën e Pejës, tha shkurt se nuk mund të flas tani për tani për këtë rast pa ju ardhur vendimi i gjykatës.

“Për këtë rast konkretisht nuk mund të flas njëherë për njëherë sepse vendimi i gjykatës ende nuk ka ardhur. Ne e kemi dërguar lëndën në gjykatë për ekzekutim ndërsa vendimi ende nuk ka ardhur”, theksoi ai pa dhënë asnjë detaj.

Nikçi thotë se inspektimi i tyre vjen pas ankesave të banorëve .

“ Si ky rast kemi shumë në Komunën e Pejës, ku pas ankesave të qytetarëve ne shkojmë në vendin e ngjarjes dhe ua tërheqim vërejtjen. Ka mundësi ta ketë një qen për qejfi por jo dhjetë sepse e prishin qetësinë publike që është e rregullur me Ligj…”, theksoi Nikçi.

Ky rast ka nxitur reagime të shumta të aktivistëve për mbrojtjen e kafshëve.

Në anën tjetër Elsa Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve tregon se kjo organizatë është në kontakt të vazhdueshëm me vajzën edhe se janë ankuar edhe te Koordinatori nacional për qen endacak z. Arber Taraku .

“ Është e padrejtë që kanë shkuar  te vajza në fjalë e jo te 100 raste qe ne i kemi lajmërur në Pejë për padrejtesitë që veterinerët kanë bërë në këtë komunë gjatë projektit shtetëror të kastrimeve”,  thekson Ramadani për Gazetën Observer, duke numëruar tutje gjithë ato abuzime që bëhen me kafshë, gjendjen e mjerueshme në strehimore të palicencuara, therrjen e kafshëve në oborre shtëpiash etj., e shumë tjera ku inspektorët nuk intervenojnë.

“ Nëse qentë kanë bërë zhurmë, qytetarët kanë drejë me u anku, por  inspektorët ishte dashur t’I ndihmojnë vajzës në zgjidhjen e problemit… me folë me ekspertë që dinë të trajnojnë qen që mos të lehin shumë…Këto janë  probleme të zgjidhshme. Por, në këtë rast qentë nuk kanë bërë asnjë problem, vajza nga Peja kujdeset vetë për ta, me financa të veta”, thotë Ramadani e cila edhe njëherë potencon faktin se inspektorët që ishte dashtë të kujdesen edhe për mirëqenien e kafshëve po dështojnë vazhdimisht në kryerjen e duhur të punës së tyre./Gazeta Observer