Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj 12 personave për rastin e veteranëve të rrejshëm, ka folur ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, i cili gjatë kohës sa ishte në rolin e prokurorit e kishte përgatitur gjithë këtë aktakuzë.

“Janë thënë të gjitha që është dashur të thuhen. Gjërat duhet të ecin përpara”, ka thënë Blakaj, në një prononcim për Gazetën Express.

Sipas tij çdo kush që e don UÇK-në, duhet t’i gëzohet këtij lajmi.

“Çdo person që e don sa do pak vendin tonë, çdo ushtarë luftëtar i UÇK-së do t’i gëzohet këtij lajmi”, ka thënë Blakaj.
12 personat akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kanë fryrë listën e veteranëve të UÇK-së deri në 19 mijë më shumë. Në njoftimin e Prokurorisë Speciale janë publikuar inicialet e personave të akuzuar, Gazeta Express mëson se bëhet fjalë për anëtarët e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve në krye me kryetarin, Agim Çekun.

Të akuzuarit janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Kujtojmë se Elez Blakaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i prokrurit pas presioneve të shumta që thotë se i ishin bërë gjatë punës së tij.