Javën e kaluar u promovua solemnisht hapja e Fondacionit për të drejtat e Kafshëve në Prishtinë.

Përveç mysafirëve të shumtë në këtë aktivitet ishin prezente edhe organizatat simotra ndërkombëtare mbështetëse të fuqishme në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, organizata LAV (LEGA ANTI Vivisezione) dhe  ATB (Trentino con i Balcani Onlus) të cilët do të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në vend, duke qenë partnerë shkencorë dhe teknik të Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve.

Kjo ngjarje ishte edhe gurthemel i bashkëpunimit me organizatat dhe institucionet relevante simotra ndërkombëtare si LEGA ANTI Vivisezione, Trentino con i Balcani Onlus (ATB), straycoco.com – im Einsatz für Strassenhunde , Stiftung für das Tier im Recht (TIR), Kosovo Small Animal Welfare, GAIA Kosovo – si dhe institucionet publike si: Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës; Koordinatori Kombëtar për projektet që kanë të bëjnë me qen endacak; Departamenti/Instituti i Veterinarisë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës dhe Komuna e Prishtinës.

Përveç kësaj, delegacioni italian së bashku me udhëheqës të Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve  zhvilluan edhe disa takime institucionale të rëndësishme për projektet dhe synimet në të ardhmen, si p.sh. me Institutin e Veterinarisë nën kornizë të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë së Universitetit të Prishtinës, me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUVK), si dhe me Komunën e Prishtinës;

Praktikat e organizatës LAV në Itali do të jenë shumë të dobishme për ne në Kosovë sa i përket projekteve që kanë të bëjnë me promovimin dhe mbrojtën e të drejtave dhe mirëqenies së kafshëve.
Për një sukses sa më të mirë drejt përmirësimit të mirëqenies së kafshëve dhe të drejtave të tyre, nuk duhet të harrojmë që pa vullnetin dhe angazhimin institucional, nuk mund të arrihet asgjë; – nëse sigurisht, tentojmë që të punojmë drejt parimeve të qëndrueshmërisë të mbrojtës dhe shpëtimit të kafshëve në përgjithësi. Kjo do të thotë, të shpëtojmë jo vetëm 10 apo 50 kafshë në rrugë apo në ferma, por çdo kafshë duke siguruar baza ligjore sipas standardëve të larta për mbrojtën e tyre si dhe të ndihmojmë në formimin e një “fryme” të re institucionale dhe politik-bërëse, karshi mirëqenies dhe trajtimit të dinjitetshëm të kafshëve në Kosovë.
Vetëm ligjet dhe politikat e mirëfillta mund të shpëtojnë të gjitha kafshët në Kosovë, jo individë veç e vep me iniciativa personale dhe afat-shkurta (jo e qëndrueshme dhe ka kosto të lartë). Ne të gjithë si individë, në anën tjetër duhet të zotohemi si vullnetarë efektiv dhe konstruktiv dhe si pjesë e strukturave të qëndrueshme, afat-gjata të cilat do të mbronin dhe shpëtonin të gjitha kafshët në Kosovë, nga çfarëdo padrejtësie.
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve do të punojë dhe luftojë çdo herë në këtë drejtim, në mënyrë që baza të forta institucionale, ligjore, kulturore dhe profesionale të ndërtohen për të mirën e përgjithshme dhe mbrojtën e mirëqenies dhe të drejtave të kafshëve në çdo aspekt. Kjo betejë do të jetë shumë e gjatë dhe e vështirë, por falë partnerëve tonë ndërkombëtar dhe kombëtar, besojmë që puna do të bëhet së paku më e lehtë.
Ne jemi të bindur dhe është e vërtetuar edhe në mënyrë shkencore (të shumë fushave të ndryshme: mjekësi, juridik, permakulturë, akuakulturë, ekonomi, art, etj.) që mbrojtja e bashkëvendëseve tonë (kafshët), sjellë automatikisht përmirësime në mirëqenien e njerëzve, po ashtu. Mos të harrojmë që ndajmë të njëjtën shtëpi të vërtetë: ambientin/natyrën”, thuhet në njoftimin e Fondacionit për mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve.

Ndërsa po ashtu përmes një njoftimi të bërë nga ky fondacioni, jepet deklarata e nënshkruar nga Gianluca Felicetti e Simone Stefani, ku theksohet se e gjithë kjo  është një shpresë shtesë konkrete për kafshët e Republikës së re të Kosovës.

Kemi realizuar një aktivitet intensiv dy ditor, pasi që përvoja e parë në terren ishte bërë një vit e gjysmë më parë falë selisë sonë në Trentino, të përfshirë në projektet e mbështetura dhe të zbatuara nga ATB-Trentino con i Balcani.

Tani, përveç asaj që ne do të bëjmë për trajnimin e aktivistëve lokalë, shkollave, mbështetjes për aktivitetet e sterilizimit dhe përkujdesjen për qentë endacakë, ka hyrë në veprim, me takimin e parë të bordit të drejtorëve që u zhvillua në ambasadën italiane në Prishtinë, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve e udhëhequr nga Elza Ramadani.

Një vend majft kompleks, me shumicë myslimane, e dalur nga një luftë vëllavrasëse, është vend në afërsi midis Shqipërisë dhe Serbisë, thellësisht evropiane, ku deri në kohët e fundit qentë u vranë ligjërisht në rrugë nga gjuetarë të licencuar dhe të paguar, por që tani, brenda dy muajsh do të hyjë në fuqi kodi penal që gjithashtu do të sanksionojë helmimet e qenve. Krahasuar me gjendjen tonë shumë vite më parë, kur LAV u themelua në vitin 1977, këta janë duke shkuar mjaft përpara. Në këto ditë kemi shpërndarë praktikat tona të mira, aktivitete të tilla si ato që janë duke u zhvilluar në Lampedusa dhe Palermo”, thuhet ndër tjerash aty.

Për më shumë mund të ndiqni videon në vazhdim: