Drini Ajdinlli, regjisor

Erich From, një psikolog gjenial dhe humanist, në suazë të temës Nekrofilia dhe Biofilia, (dëshirapër vdekjen dhe dashuria për jetën), në mesanalizën e tij, merr në shqyrtim kontekstual dy poezi me të njëjtën tematikë, për lulen. E para e shkruar nga Tenisoni, diku nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, ndërsa e dyta prej Gëtes. Tenisoni e këpuste lulen dhe e mbante me vete, pasi, ajo i kujtonte Zotin, sipas tij, ndërsa Gëte, e shkulte lulen me gjithë rrënjë dhe e mbillte përsëri, në një vend ku ta shihnin të gjithë ata që kalonin andej pari. Fromi, në snoptikën psikanalitike, e konsideron poetin Tenison si nekrofil, pasi ai ia vret jetën lules, ndërsa Gëte ishte një biofil, pasi e rimbjell lulen dhe i’a rimundëson asaj  jetën. Në një kuptimësi më të gjerë, nekrofili, lidhja me vdekjen, konsiderohen prej këtij superpsikologu, edhe dukuritë tjera si: lidhja e thelle me të shkuarën, (të jetuarit nëpërmjet kujtimeve), ose të mosjetuarit në të tashmen.

Tekstura shqiptare, e këngëve, përgjithësisht, ka qasje herë nekrofile, dhe herë krejt sipërfaqësore (një eufemizëm për vulgaren). Dëgjojmë këngëtarë që mjaullijnë për fatin e tyre të vështirë, për botën që nuk i kuptoka, për femrat që nuk i duan apo që i braktisin, dhe që, megjithë këtë, këta do të vazhdojnë t’i duan përjetë, pavarësisht shpërfilljes dhe talljes së tyre, etj. Femra dhe meshkuj këndonjës, që edhe pse janë të martuar, në këngët e tyre, mendjen e kanë te dashuritë e para etj. Pastaj vijnë tekstet e “fuqishme”, që shprehin lidhjet, jo me vdekjen, si mësipër, por me jetën, duke ulëritur, se sido që të vijë puna, personazhi i këngës, do hajë, do pijë e do puthë, pa pushim, sa t’i punojë këmba e dora, pasi dëshiron të vdesë i ngopur, duke përcjellë kështu një ndjesi neverie e shtazërie, për një shtresë të caktuar njerëzish, e njëherësh, duke shkaktuar dëme psikoestetike, njësoj si ata merhumët melankolistë nekrofilë. Pastaj, vjen një shtresë tjetër kuptimore e psikologjike (meqë po flasim për tekstin dhe jo përmelodinë): ato dhe ata që  shkruajnë e këndojnë tekste të shëndetshme, biofile, jo vulgare. Këto, me gjasë, janë këngët e bukura, që e kryejnë detyrën artistike bukur mirë, për popullin,që është kaq i lidhur me jetën emocionale dhe atë të ndjenjave (shumë prej individëve që rropaten në arte të ndryshme, e ngatërrojnë ndjenjën me emocionin, pasi nuk lexojnë kurrë gjë tjetër përveç teksteve që interpretojnë). Meqë shtresëzimet social-kulturore mund të jenë të shumta, po hidhemi te një shtresë njerëzish, artdashës, që përveç  jetës horizontale (ngrënie pirje vere, alpinizëm, dashuri, martesë ,fëmijë e karrierë, etj), kanë, ose dëshirojnë të kenë edhe një jetë vertikale (idealizëm, humanitet, ezoterikë, kërkim i të vërtetave fondamentale e primordiale, kërkimi kuptimësive universale,filozofike e spirituale të ekzistencës njerëzore, etj).Pikërisht, kësaj shtrese, në perceptimin tim i adresohet kënga (teksti) “O Nënë Ekzistencë” e interpretuar prej  Franc Korunit, njëherësh edhe e shkruar prej tij.

Një tekst, që nën një aforistikë psikologjike, e dezinfekton jetën e njeriun prej viruseve e ndotjeve nekrofilike, e përshëndet jetën dhe njerëzit me tingullin biofil, që është njëherësh edhe kundërmim erëmirë estetik. Ajo ç’ka është ekskluzive te ky tekst, është pikërisht, vertikaliteti i mirëfilltë, për të cilën kanë folur e shkruar mjeshtra si Sokrati e Platoni, Buda e Pitagora, Fromi e Maslou, Osho, e të tjerë mjeshtra, disa prej të cilëve Koruni i njeh përmes studimit autodidakt, e diskurseve me miq e kolegë. Unë nuk mund të tentoj një analizë shteruese të “O Nënëekzistenë” (që disa e perceptuan si këngë vetëm për mamanë), për arsye të ekonomisë analitike, mosrespektimi i së cilës mund të na çonte në stërhollime ezoterike, estetike  e psikologjike,  që thjesht do ta pështjellonin edhe autorin e këtij shkrimi, edhe lexuesin. Personalisht, ndjej, vërtet keqardhje, që në juritë e festivaleve, nuk ka psikologë e kritikë letrarë, analiza e të cilëve, me gjasë, do t’i jepte vendin e duhur tekstit. Duke u komentuar kënga vetëm në aspektet muzikore, (vokal, interpretim etj), bëhet e pavlerë diferenca mes një teksti të mençur dhe një teksti infantil e steril