Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola është gëzuar me lajmet e fundit të skuadrës, para ndeshjes kundër Bournemouth.

Gabriel Jesus dhe John Stones do të jenë të gatshëm të paraqiten me skuadrën, siç ka bërë të ditur vet trajneri në konferencën për shtyp.

Gjithashtu, trajneri ka folur edhe rreth gjendjes fizike të Fernandiho e Aymerick Laporte, për të cilët ka thënë se pritet të kthehen së shpejti.

“Besoj se pas pushimeve të kombëtareve ata do  të jenë të gatshëm, sidomos Fernandinho” ka thënë Guardiola

“Ndoshta pas disa ditësh do të kthehet Ayme. Do të shohim. John po kthehet, sikurse edhe Gabriel dhe ne do të shohim se sa janë të lodhur ata. Ne do të vendosim në gjendjen e tyre fizike” ka thënë tutje ai.

Fernandinho është një nga lojtarët kryesorë në formacionin e Guardiolas. Ai konsiderohet si i pazëvendësueshëm nga trajneri, dhe zakonisht kur ka munguar braziliani, ‘Citizens’ kanë dështuar që të fitojnë këtë edicion.