Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka folur edhe për takimin mes presidentit Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiqit në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.

Haradinaj ka thënë se nuk e di cilat do të jetë temat e diskutimit të sotëm mes Thaçit e Vuçiqit, pasi nuk është informuar nga presidenti për një gjë të tillë.

“Takimi mes Thaçit e Vuçiqit është agjendë ekzistuese e Mogherinit. Nuk e di saktë se çka do të diskutohet aty. Por e di që do të flitet për dialogun mes dy vendeve”, tha Haradinaj.

Tutje ai tha se BE-ja po i jep rëndësi të madhe dialogut mes Kosovës e Serbisë.

“Më bën përshtypje që dialogut po i jepet përparësi nga BE-ja, Kosova është treguar e aplikueshme nga BE-ja në dialog. Por duhet të qartësohet edhe kjo punë se çka duam ne nga dialogu”, ka thënë Haradinaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb Aleksandër Vuçiq do të takohen në mbrëmje në Bruksel, me ndërmjetësimin e Mogherinit.