S’ka mbetur kush pa u deklaruar rreth numrit të veteranëve të luftës së UÇK-së, e s’ka mbetur shifër pa u përmendur. Secili prej komandantëve të luftës ka versionin e vet. E shifrat e përmendura sillen përafërsisht  prej 12-15 mijë numër ky që e ka përmendur presidenti Thaçi deri te 60 mijëshi i Haradinajt. Deklaratat e fundit të Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Presidentit Hashim Thaçi, po sjellin kontradikta me njëra-tjetrën.

Por, sipas nënkryetarit të OVL UÇK-së, Nasim Haradinajt,  politikanët tanë më shumë i shqetëson fakti i financave.

‘’Po keqkuptohet shumë çështja e veteranëve të luftës, në të vërtetë kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Presidentin Hashim Thaçi po i mundon çështja e veteranëve luftëtarë, jo e veteranit. Nëse themi veteran, edhe 100 mijë me qenë nuk është asgjë, janë thjeshtë veteran, por veteranët luftëtarë janë në një numër më të vogël sepse është kategoria e parë do të thotë kategoria e pagesave”,tha Haradinaj për Gazetën Observer.

“Unë mendoj se politikanët nuk e kanë dert çështjen e veteranëve por e kanë problem çështjen e financave”, thekson ai.

Tutje, Haradinaj thekson se çdo shifër që është deklaruar deri tani, nuk është reale dhe se shifrat po bëjnë që të degradohet  lufta e zhvilluar nga UÇK.

‘’Komplet është qëllimi i degradimit të vlerave të luftës dhe ky degradim ka ndodhur menjëherë pas lufte’’, theksoi Haradinaj./Gazeta Observer