Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një deklaratë për Ekonomia Online ka thënë se çështja e kryeparlamentarit është e mbyllur dhe se opsioni i vetëm nëse nuk bëhet koalicioni me LDK-në janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Nuk ka thënë asnjëherë LDK që kryetari i Kuvendit i takon atyre, përkundrazi, ne kemi thënë që për hir të bashkëpunimit mund ta diskutojmë që propozimin ta vëmë nga radhët e LDK-së. Por, LDK e deshi edhe kryetarin e Kuvendit edhe presidentin, kur erdhëm në këtë situatë insistimi i LDK-së për presidentin dhe gjithçka ndryshoi dhe nuk kishte marrëveshje. Ne propozuam kryetarin e Kuvendit, pro nëse nuk do ta votonte ai nuk do të kalonte. Ne vepruam në përputhje me kërkesat që ata i kishin. Nuk i kanë kushtuar rëndësi në takime pozitës së kryetarit por pasi u zgjodh u bë problem. Vendimi i 75 deputetëve është i pakthyeshëm. Nëse ata pranojnë ofertën tonë gjithçka do të ishte më e lehtë”, tha ajo.

Haxhiu nuk e ka komentuar ofertën e re, por thotë se pas ofertës LDK-ja duhet ta thërras Këshillin Drejtues e ta shqyrtojë ofertën e më pas ta ftojë liderin tonë për takim, i cili duhet të ndodhë sa më shpejt.

Për prolongimin e arritjes së marrëveshjes, Haxhiu po e lë fajtore LDK-në, për të cilën thotë se në vazhdimësi parashtronte kërkesa të ndryshme, gjë e cila ka vonuar edhe procesin për një koalicion të mundshëm.