Albulena Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetare e Komisionit për Legjislacion ka thënë sot se po bëhet një vit nga kur Komisioni Qendror Zgjedhor është bllokuar nga Presidenti, duke mos emëruar anëtarët e rinj në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar.

Haxhiu në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se mosfunksionalizimi i KQZ-së në afat sa më të shpejtë dhe ligjor, është shkelje e Kushtetutës dhe ligjit për zgjedhje nga ana e Presidentit.

Lexoni të plotë postimin e Haxhiut në Facebook:

“Po bëhet një vit nga kur KQZ-ja është bllokuar nga Presidenti, duke mos emëruar anëtarët e rinj në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti nuk mund të mbajë të bllokuar tutje një institucion kushtetues, siç është KQZ-ja.

Legjislacioni në fuqi lidhur me përbërjen e KQZ dhe bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të vitit të kaluar parasheh që koalicioni PAN të ketë dy anëtarë, Lëvizja VETËVENDOSJE! dy anëtarë dhe koalicioni LAA, dy anëtarë.

Nga shpallja e aktvendimit të Kushtetueses, fillon të rrjedhin edhe afatet për konfirmimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së. Mosfunksionalizimi i KQZ-së në afat sa më të shpejtë dhe ligjor, është shkelje e Kushtetutës dhe ligjit për zgjedhje nga ana e Presidentit”