Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar pas takimit që organizoi kryeparlamentari Kadri Veseli me partitë politike rreth rezolutës për dialogun.

Hoti ka thënë se personat që po përpiqen të kontrabandojnë veten në këtë dialog, kanë qenë penguesit kryesorë për ta mbrojtur shtetin. Madje Hoti tha se të tillëve jo që nuk duhet votuar rezolutën që  e kanë propozuar, por duhet që sa më shpejt të largohen nga pushteti.

Kujtojmë që LDK nuk mori pjesë në takimin e thirrur nga Veseli.

Ja postimi i plotë i Hotit:

Si Lidhje Demokratike e Kosovës, për ta mbrojtur integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kemi propozuar Rezolutën me të cilën do të vendosnim vijën kryesore të kuqe në dialogun Kosovë-Serbi – territori i Kosovës të mos jetë pjesë e dialogut.
Ata që sot po përpiqen të kontrabandojnë veten në këtë dialog, kanë qenë penguesit kryesor të përpjekjes tonë për ta mbrojtur shtetin.
Të tillët kanë dëshmuar tash e sa kohë se kurdo që ju nevojitet, e vejnë në pikëpyetje shtetësinë, pozitën ndërkombëtare dhe territorin e vendit. E kane filluar më 22 dhjetor të vitit të kaluar, e po vazhdojnë sot e gjithë ditën.
Të tillëve, jo që nuk duhet votuar rezolutën, por një orë e para duhet larguar nga pushteti.
Vetëm zgjedhjet i japin frymë demokracisë dhe institucioneve në vend. Çdo vonesë e bënë edhe më të paqartë të ardhmen tonë.