Fjalimi që nxiti histerinë e njerëzve duke manipuluar shpirtërisht nxënësit e shkollave dhe rininë. Si ndalua feja dhe u quajt krim, aksioni që nisi nga Shkodra dhe Durrësi. Çfarë ndodhi me klerin dhe objektet e kultit

Erjon Papagjoni

Në vitin 1967, PPSH shpërtheu në një sulm të paprecedentë, tërësor dhe terrorist ndaj fesë dhe institucioneve fetare, e iniciuar nga fjala e 6 shkurtit 1967 e Enver Hoxhës. Ajo nxiti, inspiroi dhe orkestroi veprime të skajshme, pjesë e një lëvizje destruktive, që çoi në prishjen dhe shkallmimin e mjaft institucioneve të kultit, kisha e xhami, teqe e manastire, duke ndërruar destinacionin e tyre dhe duke i shndërruar në depo e magazina mallrash, në shtëpi e vatra kulture, në godina administratash dhe institucionesh, në atelie, shkolla dhe klube sportive etj. Feja u konsiderua “opium për popullin”, mashtrim që skllavëron njerëzit dhe i largon ata nga rruga e revolucionit, nga krijimi i veprës më të madhe të partisë: “Njeriut të ri”. Afërmendsh se nxitja e histerisë së njerëzve duke manipuluar shpirtërisht nxënësit e shkollave dhe rininë, krijoi një atmosferë tejet të rëndë që u pasua nga një krizë e fortë sociale mosbesimi, edhe pse e kamufluar dhe e strukur thellë nga frika e ndëshkimit të mundshëm. Kleri u zhvesh nga të gjitha funksionet.

Mbështetur në Kushtetutën e vitit 1946, neni 58, pika 6, në vitin 1967 hyri në fuqi dekreti famëkeq nr. 4337, datë 13. 11. 1967, “Mbi shfuqizimin e disa dekreteve”, i cili do të nxirrte jashtë loje nga pikëpamja institucionale dhe ajo e ushtrimit të funksioneve të tyre të gjitha komunitetet fetare. Statutet e tyre si referenca juridike për organizimin dhe qenësinë e veprimtarisë që kryenin deri atëherë, pushuan së qeni aktive. Ky dekret do të riartikulohet dhe do të shprehet në mënyrë eksplicite në nenin 37 të Kushtetutës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të vitit 1976, duke e shpallur Shqipërinë si vendin e parë dhe të vetëm ateist në botë. Të gjitha institucionet fetare dhe klerikët e tyre suprimoheshin nga funksionet dhe detyrat. Ushtrimi i veprimtarisë fetare penalizohet. Ai ndalohet rreptësisht dhe ndëshkohet duke u konsideruar krim. Besimi ndaj Zotit, kodeve kanonike, dogmave dhe shkrimeve të shenjta stigmatizoheshin, denoncoheshin, viheshin në qendër të kritikës sociale dhe demaskimeve me natyrë populiste.

“Regjimi shqiptar, – vëren studiuesi italian G. Cimbali, – nuk ngurron ta paraqes veten si vendi më radikal dhe koherent mes vendeve socialiste, në zbatimin e linjës së marksizëm-leninizmit, gjë që e frymëzon të kërkojë pëlqimin e lëvizjeve të rinisë, që pas vitit 1968 po tronditnin ekuilibrat politikë të vendeve të Evropës. Grupet e vogla filoshqiptare që ishin krijuar në disa vende, prezantoheshin si organizata të masës dhe ushqenin në Shqipëri bindjen për ekzistencën e një bote që po rend drejt komunizmit dhe ateizmit të shtetit, kur në të vërtetë shfaqja e krizës së besimit fetar lidhej më shumë me proceset e shekullarizimit të shoqërive perëndimore me konsumizmin, që as që njihej nga shoqëria shqiptare”.

Modeli maoist i lëvizjes

Inspirimet anarkiste të masës së gjerë të rinisë nga PPSH nisën me moshat shkollore, sajimin e nismave të paramenduara dhe të manipuluara prej saj, siç ishte ajo e gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës dhe pastaj, shkollë pas shkolle, në gjithë vendin. Qëndrimet ekstremiste sipas modeleve maoiste të “Revolucionit Kulturor” në Kinë, me akuza të hapura publike dhe ushtrimin e një trysnie të paparë, u orientuan drejt kryerjes së veprimeve vandale e me sjellje të pahijshme ndaj klerit, duke djegur ikonat dhe pasuri të shumta ikonografike e kulturore të traditës sonë të ruajtura me dashuri e fanatizëm nga institucionet e kultit. Feja u konsiderua frymëzim diabolik, përçarëse e popullit, përligjje e shfrytëzimit të masave punonjëse nga borgjezia ndërkombëtare, klasat e pasura dhe reaksioni. Pra iu mvesh asaj “këmisha e forcës”, krejt e kundërta nga misioni humanist, moraliteti i lartë dhe fryma e pajtimit që ajo predikonte përmes mësimeve të saj të shenjta.

Fjalimi programatik

Në fjalën e ashtuquajtur “programatike” të Enver Hoxhës “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, e 6 shkurtit 1967 për revolucionarizimin e jetës së partisë dhe të vendit, ka një duf të thukët antifetar. Dy ditë pas këtij fjalimi gazeta “ZP” i bënte jehonë nismës së nxënësve dhe mësuesve të shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës për të luftuar deri në fund “ideologjinë fetare, bestytnitë, zakonet prapanike”. Në Durrës, qytete e krahina të tjera, nisën debatet, fletë-rrufetë, e veprime të tjera konkrete kundër fesë.

Kuvendi i Lezhës

Më 26 mars organizohet kuvendi i tre brezave në Lezhë, si simbol i karakterit masiv të asaj lëvizjeje. Entuziazmi i spastrimit, krenaria e krijimit të shpejtë të një shoqërie ateiste, u bënë marramendëse. Reforma e suprimimit të klerit, faltoreve dhe praktikave fetare, u realizua pa ndonjë rezistencë të konsiderueshme, nga poshtë, pra nga masat popullore. PPSH me gjithë pushtetet që zotëronte, krijoi kushtet e një asfiksie të ngadaltë, të vijueshme e tërësore, duke i çuar bashkësitë fetare drejt kolapsit institucional.

Hapin e parë e ndërmori Komiteti Ekzekutiv i rrethit të Shkodrës, i cili doemos i instruktuar, në dhjetor të vitit 1966 i dërgoi një propozim qeverisë për ndryshimin e dekretligjit mbi komunitetet fetare. Ndër të tjera në propozimet që ky organ i pushtetit lokal bënte, kërkonte abrogimin e rolit të kishës katolike “për mirëqenien landore të popullit”, i reflektuar në statutin e saj, çka nënkuptonte dobësimin e kishës dhe defaktorizimin e saj me kujdesin ndaj besimtarëve, ndihmën ndaj të vobektëve, nevojtarëve etj. Te ky propozim kërkohej gjithashtu që të hiqej përdorimi i gjuhës latine në liturgjitë dhe komunikimet me besimtarët. Por ajo që parakuptonte ndërhyrjen e fortë të organeve ekzekutuese ndaj kishës katolike të rrethit të Shkodrës ishte propozimi për mbylljen e disa kishave, të cilat gjoja nuk kishin personel klerikal që të shërbenin dhe kishin mbetur bosh. Ndërsa propozimi tjetër prekte indin e ndjeshëm të kishës, shkollat fetare, të cilat kanë qenë ndër prurjet dhe kontributet më të vyera të saj.

Kaosi juridik i raportit të shtetit me komunitetet fetare në projektligjin e janarit të vitit 1967 krijoi kushtet e shpërthimit të gjithfarë nismave populiste, duke nxitur një irritim të përgjithshëm kundrejt institucioneve fetare dhe klerikëve të saj, çka solli rrënime e shkatërrime të papara, prishje të vlerave arkitekturore, ikonografike, kulturore e historike, prishje e djegie ikonash, altarësh, vlerash të rralla si dhe zgjimin e një histerie kolektive, sidomos te të rinjtë e instrumentalizuar nga organizatat e partisë.

Shpronësimi

Klima e krijuar ishte vërtet e një natyre terroriste. Brenda një kohe të shkurtër u prishën, u shkatërruan ose ndërruan destinacion një varg i madh faltoresh. Ato arritën shifrën prej 2169 të tilla, prej të cilave 760 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 kisha katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame. Gjendja e arkave dhe llogarive rrjedhëse të të gjitha institucioneve fetare deri në fund të muajit mars të këtij viti ishte 1 959 307 (lekë të reja). Krahas kësaj ato posedonin edhe sasi të konsiderueshme bagëtish, vreshtash, ullinjsh, bahçesh etj. Kështu p.sh. vetëm 8 manastire kishin 500 krerë bagëti të imta dhe të trasha, kryegjyshata posedonte 34 dynymë tokë që i kaloi NBSH-së “Gjergj Dimitrov” etj. Një pasuri tjetër, e luajtshme dhe e paluajtshme, arrinte në mbi 6 milionë (lekë të reja), nga të cilat 2 150 000 milionë i kishin teqetë bektashiane. (Në këto pasuri përfshiheshin ndërtesat e banimit me aksesorët, mullinjtë, dhjetëra dyqane e magazina të tyre, pajisjet e brendshme me shtretër të manastireve etj.). Komunitetit Musliman Shqiptar iu shpronësua 3163 hektar tokë dhe 61.000 rrënjë ullinj. Mjaft prona e pasuri publike u shndërruan në prona socialiste, si varrezat, namazgjatë, medresetë etj.

 “Gjuetia e shtrigave”

E ngjashme me “ndjekjen e shtrigave” në mesjetën obskurantiste, fushata antifetare e vitit 1967 bëri që qindra klerikë të mbeteshin pa punë dhe mjete jetese. Shumë të tjerë u dhunuan, u burgosën, u internuan, u vranë dhe u zhdukën. Ata u anatemuan si bartës të së keqes, të djallëzores, u quajtën reaksionarë, antikomunistë, mashtrues, shfrytëzues të masave etj. Kjo është një histori sa e tmerrshme, e pisët, e shëmtuar, aq dhe e trishtuar, dramatike e tragjike, që rëndon thellë në kujtesën historike të popullit shqiptar si një krim me përmasa kolektive ndaj një vlere të patejkalueshme siç qenë feja dhe institucionet e saj.

Dokumenti/Raporti informativ

Arka e institucioneve fetare u boshatis. Faktikisht veprimtaria e tyre u asfiksua, shteti ndërpreu çdo subvencion duke e bërë faktikisht të pamundur gjallimin e mëtejshëm. Sipas raportit informativ të KQ të PPSH “Mbi Rezultatet e para të luftës kundër fesë dhe disa masa për thellimin e mëtejshëm të saj, datë 30. 08. 1967”, në një nga pasazhe e tij shkruhet: “Me përjashtim të kishës së madhe të Tiranës dhe kishës katolike, në të gjithë vendin janë mbyllur të gjitha kishat, xhamitë, teqetë, tyrbet, vakëfet etj.” Në mënyrë cinike raportohej se “shteti u lehtësua gjithashtu nga subvencioni që bënte çdo vit për pagesat e rrogave e të pensioneve të një pjese të mirë të klerikëve, shifër kjo që arrinte çdo vit në 300 000 lekë të reja.” Dokumenti prej 23 faqesh i këtij “Raporti informativ”, përveç rezultateve të arritura nga aksioni dhe goditja e institucioneve fetare në rang vendi, jepte edhe direktiva të qarta se si komunistët duhet të punonin në terren për të çrrënjosur çdo gjurmë besimi, se si të zhdukeshin nga faqja e dheut objektet fetare: kisha, xhami apo teqe e manastire, se si të ruheshin vetëm disa prej tyre për arsye  muzeale, ndërsa të tjerat të konfiskoheshin e të ktheheshin në depo për kooperastivat.