Është në natyrën e Interit që edhe atëherë ku ka vend për festë, të shpiket një çështje, për të trazuar ambientin.

Sikur të mos mjaftonte mungesa e golit në 7 ndeshje të radhës në Serinë A, për një total prej 644 minutash, për Mauro Icardin, vjen edhe deklarata e Lucciano Spallettit kundër drejtuese zikaltër rreth zhurmës së krijuar për rinovimin e sulmuesit argjentinas. Dhe ndodhi pikërisht pas fitores së parë të 2019-ës, në transfertë me Parmën.

E duke u kthyer te kriza e Icardit, ajo po rëndohet para syve të të gjithëve, sepse numri 9 i Interit nuk po arrin më ta dërgojë topin në rrjetë. Në 7 ndeshjet e fundit në kampionat, ka tentuar 18 herë portën, pa mundur të lërë shenjë. Statistika anormale për një sulmues që në karrierën e tij ka patur gjithmonë instiktin vrasës në zonën e kundërshtarit. Po kalon serinë më të gjatë të ndeshjeve pa shënuar, që kur ka veshur fanellën e Interit. Në fakt, rekordin negativ e ka kur luante me Sampdorian, teksa në mars të vitit 2013 nuk shënoi në 9 takime radhazi.

Por ka edhe më. Në nivelin e pjesëmarrjes në lojë, Icardi ka bërë hapa pas krahasuar me muajin dhjetor. Pas numrave negativë të ndeshjes me Bolognan (preku vetëm 25 topa dhe dha 13 pasime), në Parma bëri pak më mirë (32 topa të prekur dhe 14 pasime).

Praktikisht, transformimi që ka dashur t’i bëjë Spalletti, me pretendimin për ta përfshirë më shumë në presing, i ka minimizuar efikasitetin para portës.