Skender Xhukolli është instalues i ekspozitave në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Kot ka pritur që pagën e tetorit ta marrë me rritje prej 50 për qind, siç ishte thënë kur me ceremoni u festua aplikimi i Rregullores për krijuesit, performuesit dhe punonjësit profesionalë të trashëgimisë kulturore. Ai ka tërhequr pagë më të lartë në vlerë prej 11 eurosh. Paga e tij e shtatorit ka qenë 383 euro e 20 centë e me rritje ka marrë 394 euro e 27 centë. I bie që rritja nuk arrin as 4 për qind.

Rritja prej 50 për qind nuk është realitet as për shumë punonjës të institucioneve të tjera, pozitat e të cilëve përfshihen në Rregulloren për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore. Prej ditës së parë të nëntorit, kur janë ekzekutuar pagat me rritje, MKRS-ja ka filluar me pranimin e ankesave nga punonjësit e institucioneve vartëse.

Një ditë më pas katër punonjës të GKK-së i janë drejtuar me një shkresë Këshillit Drejtues të institucionit. Sipas të dhënave që kanë krahasuar, atyre u është zvogëluar paga bazë dhe nëpërmjet rritjes prapë kanë gati sa shuma e pagesës që kanë marrë deri tash.

Rritja për 50 për qind nuk është realizuar as tek punonjësit e Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, të martën ka shkuar në MKRS për t’i shprehur pakënaqësitë që ka institucioni që ai udhëheq. Vërejtje e tij e vazhdueshme ka qenë nivelimi i pagave.

Tash edhe një aktor i kategorisë së parë i bie ta ketë pagën më të lartë sesa drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, thotë ai.

Me të njëjtat halle përballen edhe punonjësit e Muzeut të Kosovës.

Pakënaqësi rreth rritjes së pagave ka në secilin institucion të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore