Ismail Lutolli është një ndër mjekët më të njohur në vendin tonë. Falë vullnetarizmit të tij shumë njerëz kanë gjetur përgjigje për pyetjet lidhur me shëndetin duke mos paguar asgjë.

Dr. Lutolli ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, specializimin në fushën e Pediatrisë dhe subspecializimin në tri fusha të tjera: Dietologji-Nutricizëm, Hematologji dhe Onkologji. Aktualishtë është duke vazhduar dhe një subspecializim në drejtimin Gastroentrohepatologji të fëmijëve.

Ai është një nga ideatorët e parë për themelimin e faqes në “Facebook” “Familja dhe Shëndeti”, së bashku me dr. Jeton Zenunin dhe farmacisten Laureta Berisha-Kosumi.

Puna dhe përkushtimi i tij profesional dhe gjithashtu gatishmëria për të ndihmuar familjet që kanë nevojë, ka bërë që “Familja dhe Shëndeti” të bëhet një nga grupet më të njohura sa i përket ndihmës rreth shëndetit.

Në intervistën për “Gazetën Observer” Lutolli ka treguar gjithçka që ka të bëjë me grupin që nga themelimi i tij dhe se si ja del të planifikojë kohën që t’iu dal në ndihmë gjithë atyre që kërkojnë këshilla nga ai.

– A mund të na tregoni nga erdhi ideja për themelimin e faqes “Familja dhe Shëndeti”?
Lutolli: Themelimi i faqes “Familja dhe Shëndeti” ka qenë një iniciativë e kahmotshme, grumbullimi i disa mjekëve dhe disa profesionistët ka bërë të mundur krijimin e saj.

Nëse marim zanafillën, arsyeja e themelimit të faqes është se një kohë të gjatë kemi parë grupet tjera ekzistuese ku këshillohen prindërit pa asnjë bazë profesionale dhe e kemi parë të domosdoshme që të formojme diç të avancuar tërësisht profesionale ku familjet tona marrin ndihmën e nevojshme , shpeshherë edhe kur kontakti me mjekun dhe profesionistin shëndetësor është pak ma i vështirë.

Nuk ka qenë një gjë që është realizuar shumë lehtë, por është dashtë një kohë e gjatë e planeve, analizave dhe më në fund kanë ardhur themelimi i faqes “Familja dhe Shëndeti”.

Në krijimin e faqes më duhet ta veçojë kontributin e dr. Jeton Zenunin dhe magjistren e farmacisë Laureta Berisha- Kosumi, me të cilët kemi ndarë çdo gjë që nga fillimi i krijimit të faqes.

– Si erdhi deri te bashkimi i të gjithë atyre mjekëve në një vend?
Lutolli: Kontakti me gjithë doktorët që janë pjesë e “Familja dhe Shëndeti”  nuk ka qenë i lehtë, dhe është dashur kohë për këtë punë.

Me një pjesë të tyre kemi pasur kontakt edhe më herët dhe për një kohë të shkurtër kemi mbërritë të grumbullojmë dhe mund të themi që në javën e parë kemi arritur shifrën 100, ndërsa tash ky numër pothuajse kalon shifrën 300 profesionistë brenda grupit.

Kjo gjë nuk ishte aspak e lehtë por fal vullnetarizmit dhe humanizmit të tyre kjo gjë u bë e mundur.

– Deri në sa shkon numri i personave që kërkojnë ndihmë tuaj brenda 24 orëve në faqen “Familja dhe Shëndeti”?
Lutolli: Gjatë 24 orëve numri i atyre që kërkojnë ndihmë nga ne mund të them lirisht që kalon shifrën e 100 personave. Por në këtë pjesë duhet të veçojë që “Familja dhe Shëndeti” nuk ofron vetëm përgjigje për pyetjet që adresohen por në faqen tonë ne kemi shumë shkrime, këshilla e shumë transmetime “live” që dalin.

– Si e menaxhoni kohën, pasi e dimë që jeni shumë i angazhuar me punën, shkollimin dhe me ndihmën që ju ofroni atyre që kanë nevojë?
Lutolli: Gjetja e kohës për të gjithë ata që kanë nevojë nuk është krejtësisht e lehtë dhe sidomos viti i parë ka qenë jashtëzakonisht i vëshirë për koordinimin e përgjigjeve, por tash ne sot kemi një numër të madh të moderatorëve ku bëjnë bëjnë organizimin praktik dhe kjo e lehtëson bukur shumë. Këta moderator i ndajnë pyetjet për mjekët e caktuar.

Privatisht nuk është aspak e lehtë sepse shpeshherë më duhet të përgjigjem në ora 2 pas mesnate dhe orët e para të mëngjesit por sidoqoftë deri sot ja kemi dal dhe ndoshta dëshira dhe vullneti na ka mbajtë dhe shpresoj që do të vazhdojmë me ritme edhe më intenzive se kjo tani.

– Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në sistemin shëndetësor në Kosovë?
Lutolli: Sistemi shëndetësor duhet të ketë ndryshime, duke ndryshuar trajtimin profesional, ndihmën që ju bëhet pacientëve, gjithashtu duhet të rregullohet edhe çështja e sigurimeve shëndetësore, që pacienti të zgjedh mes trajtimit në spitale shtetërore dhe atyre private.

– Si duhet të jetë një mjek model sipas jush?
Lutolli: Kur flasim për një mjek model mendoj se “Familja dhe Shëndeti”  kanë ofruar ndihmën më të madhe në këtë aspekt.  Një mjek model duhet të jetë që pacienti të ketë besim, poashtu merr seriozisht çështjen e trajtimit të pacientit, poashtu një mjek që është i përgatitur profesionalisht.

Një mjek model duhet të marrë seriozisht çështjen se pacientët, nuk janë numër por qenie të gjalla që kanë ndjenja dhe nëse ky relacion është i shëndoshë mendoj se shumë gjëra do të ishin në rregull.

E kjo ka më së shumti rëndësi tek një pediatër, që ai të lidhë një marrdhënie me prindër që ata të fitojnë besimin tek ai dhe pastaj me fëmijët.

– Një nga shkrimet më të veçanta tuaja është “Mrekullia ekziston”, çfarë mund të thoni për këtë?
Lutolli: Unë do nisem prej fjalës “Mrekullia ekziston” dhe po është shumë e saktë që mrekullia ekziston dhe rasti i asaj foshnjës që unë kam shkruar për të e vërteton këtë gjë.

Është një rast që ka ndodhur para 2-3 vitesh dhe është një shkrim që tash vonë kam vendosur ta publikojë dhe është një rast që vërtetë në fushën mjekësore përkundër përpjekjeve maksimale ne dorëzohemi përballë kur shohim që pacienti po shkon drejt vdekjes, pasi që kemi marrë të gjitha masat pas ranimimit disa orësh dhe thuajse kemi thyer të gjitha rregullat në rastin e asaj foshnje ajo u kthye në jetë.

Dhe ky rast  dëshmon se mjekët duhet të bëjnë maksimumin për pacientët, por jo çdo gjë është në dorën tonë.

Intervistoi: Qëndresa Azemi