Foto ilustrim
DKA e SBASHK po e kundërshtojnë udhëzimin e ri administrativ për zgjedhjen e drejtorëve, procesi mbetet i bllokuar.

Ka 6 muaj që shkollat në Kosovë do duhej t’i emëronin drejtorët e ri.

Madje, disa prej këtyre institucioneve parauniversitare, po vazhdojnë të funksionojnë vetëm me ushtrues detyre të drejtorëve.

Kjo pasi udhëzimi i ri administrativ, që u lëshua më 25 korrik të vitit 2019, nga Ministria e Arsimit,  nuk po gjen zbatim.

Ai parasheh se Komisioni vlerësues për përzgjedhjen e drejtorëve, duhet të përbëhet nga një anëtar i Drejtorisë komunale, një përfaqësues i prindërve i nivelit komunal dhe një përfaqësues i MASHT-it.

Ndërsa, në udhëzimin e vjetër, të miratuar në vitin 2014, komisioni vlerësues, përbëhej nga dy anëtarë të drejtorive komunale dhe një përfaqësues i MASHT-it.

E këto ndryshime në udhëzim, po i kundërshtojnë drejtoritë komunale.

Shpresa Shala, nga DKA në Komunën e Prishtinës, thotë se ky udhëzim administrativ është i pazbatueshëm pasi që ka shumë paqartësi.

Shala thotë se ky udhëzim sipas DKA-së në Prishtinë, është i parealizueshëm edhe në terren.

“Komisioni i cili caktohet dhe miratohet nga asambleja komunale, në përbërjen e vet e ka një prind, i cili sipas ligjit duhet të ketë përgatitjen profesionale të barabartë me kandidatin i cili konkurron për drejtor. Ndoshta komuna e Prishtinës edhe mund ta gjej një prind të tillë, por komunat e vogla e kane të pamundur ta gjejnë pasiqë në përzgjedhjen e këshillit të prindërve në nivel komunal nuk specifikohet që prindi duhet të këtë përgaditjen akademike’’, thotë Shpresa Shala, Drejtoreshë DKA Prishtinë.

Sipas Shalës ky udhëzim administrativ ka edhe shkelje ligjore.

“Ka edhe plotë defekte tjera dhe sigurisht ndonjë jurist mund të gjejë edhe shkelje ligjore por unë personalisht nuk jam kompetente ta bëjë këtë”.

Vërejtje për këtë dokument ka edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK).

“Udhëzimi që ka ikur, nuk ka mundur të aplikohet, kurse i riu nuk po përdoret. Ne nuk kemi të drejtë të perzihemi, por kemi insistuar të jemi vëzhuges. Mendojmë se kur politika vendosë për drejtorë, nuk i vijnë kuadrot e duhura. Mendimi ynë, është shkollës duhet t’i kthehet autonomia. Shpesh kemi reagime se dikush tjetër ua ka dërguar një drejtor që se njeh si frymohet në atë shkolla, edhe ka pas kundërshtime’’, thotë Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.

Ndërkaq, këtë ndryshim në udhëzim, e pritën mirë Këshilli i Prindërve në Prishtinë.
Nexhmi Hoxha, përfaqësues i këtij këshilli theksoi se janë të lumtur që  prindërit tani e tutje nuk do të jenë vetëm vëzhgues, por edhe vendimmarrës.

“Përkundër që nuk kemi qenë pjesë e grupit punues për përpilimin e këtij udhëzimi. KPP është e gatshme të japë kontributin për zbatimin e udhëzimit administrativ, duke besuar se, përkundër që kjo paraqet një risi domethënëse në këtë proces, kështu procesi i përzgjedhjes së drejtuesve të shkollave do të jetë së pari shumë më transparent dhe së dyti më gjithëpërfshirës’’, thotë Nexhmi Hoxha, përfaqësues i KPP.

Ndërkohë, T7 ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit.
Zyrtarë nga ky institucion, i kanë thënë televizionit së janë në dijeni për këto ankesa, mirëpo që nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket këtij udhëzimi.