Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka vendosur që këtë  të hënë të fillojë grevën  në të gjitha institucionet arsimore në Kosovë.

E ky vendim ka ardhur si pasojë e pakënaqësisë së mësimdhënësve lidhur me koeficientin e pagave. Përfaqësues të kësaj sindikate kanë thënë se nuk do të tërhiqen nga greva nëse nuk rritet për 30 përqind koeficienti i pagave.

Madje, kësaj here ata kanë deklaruar se janë më të vendosur se asnjëherë më parë, për shkak të pritjes deri më tash që kanë bërë, duke shpresuar se kërkesa e tyre do të realizohet me dialog, shkruan Gazeta Observer.

Por, hyrja e arsimit në grevë ka irituar Këshillin e Prindërve të Kosovës. Kjo pasi që sipas tyre kjo nuk është mënyra e zgjidhjes së një problemi, në këtë rast kërkesës së tyre.

“Çdo herë lajmet për greva në arsim janë lajme jo të mira për gjithë neve. Këshilli i Prindërve çdo herë nuk është pajtur me këtë mjet sindikal.

Kryesia e SBASHK -ut duhet të heq dorë nga greva dhe t’i jep mundësi dialogut social si mjet demokratik i zgjidhjes së problemeve.

Kryesia e SBASHK -ut  po tregohet e pa pjekur dhe e padurueshme dhe se me nxitim po dëshiron që t’i zgjidh  shpejt problemet që janë krijuar prej vitesh.  Punët e mira bëhen me durim dhe me komunikim të cilët paraqesin vlera të civilizimit. SBASHK -u duhet t’i jep kohë Qeverise për të punuar në këtë drejtim”, ka deklaruar për Gazetën Observer Ymret Reshiti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës.

Nga kjo grevë sipas Reshitit humbin më së shumti fëmijët të cilët viktimizohen për interesa personale të dikujt tjetër.

“Ndërprerja e procesit mësimor po ndikon keq në psiqikën e nxënësve. Po zbeh dëshirën e tyre për mësim për tu rikthyer pastaj në procesin e mësimit.

Po duhet shumë angazhim nga prindërit dhe mësimdhënësit sërish t’i motivojnë fëmijët për tu kyqur në mësime

Gjithashtu zëvëndësimi i orëve të humbura të mësimit për shkat të grevës po paraqet ngarkesë psikike  për nxënësit .

Sepse për ta po është e pa përballueshme ngase po mbi ngarkohen me mësime dhe normalisht se një mori nxënësish pastaj po dështojnë në performanca, sepse po vleresohen me nota  jo të mira”, tha më tutje Reshiti.

E për shkak të grevës që sipas SBASHK-ut mund të jetë në një afat të pacaktuar, fëmijët do t’ju duhet bëhet ngarkesë që të mësojnë për një kohë të shkurtër shumë mësime.

“Krej çështja e ngarkesës mësimore që për një kohë të shkurtër ata duhet të mësojnë më tepër se sa është paraparë me planë programë”, tha tutje ai.

Në anën tjetër lidhur me reagimin e Këshillit të Prindërve ka reaguar edhe kreu i SBASHK-ut, në një prononcim për Gazetën Observer.

“Edhe ne para se të jemi mësimdhënës jemi prindër dhe e kemi menduar këtë. Por, Këshilli i Prindërve ankesat duhet t’i dërgojë në vendin adekuatë, jo te ne”, ka thënë Rrahman Jasharaj, kryetari i SBASHK-ut. /Gazeta Observer