Bardh Spahia

“Prej këtu kam një mesazh për të gjithë botën: Amerika nuk do të jetë kurrë një vend socialist! Në shekullin e kaluar, socializmi dhe komunizmi vranë 100 milionë njerëz!”. Ishte kjo pjesa hyrëse e fjalës së fortë të presidentit amerikan, Donald Trump, në Asamblenë e 74-t të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Qëndrimi i njohur amerikan antikomunist nuk është befasues për demokracinë më të madhe të globit, por duket një kujtesë e nevojshme, nisur nga dinamikat gjeopolitike.

Vëmendja për të mos harruar çfarë kanë vuajtur popuj të tërë nga diktatura komuniste, mbetet në rendin e ditës edhe për Bashkimin Evropian.

Pak ditë më parë, Parlamenti Evropian miratoi me shumicë domethënëse prej 535 votash pro, një rezolutë mbi rëndësinë e kujtesës evropiane për të ardhmen e Evropës, duke u bërë thirrje shteteve anëtare të BE-së që të bëjnë një vlerësim të qartë e parimor të krimeve dhe akteve të agresionit, të kryera nga regjimet totalitare komuniste dhe regjimi nazist. Rezoluta e vendos në të njëjtin nivel komunizmin dhe nazizmin, si fatkeqësi për popujt që kanë vuajtur prej tyre. Për këtë arsye, Parlamenti Evropian u kërkon vendeve anëtare që të dënojnë të gjitha manifestimet dhe përhapjen e ideologjive totalitare, siç është komunizmi dhe nazizmi në BE.

Një hap konkret është thirrja për të gjitha vendet anëtare që ta përkujtojnë 23 gushtin (këtë vit 80-vjetori i firmosjes së marrëveshjes së mos sulmit mes Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, që çoi në ndarjen e Evropës në sfera influence mes të dyjave, e më pas në Luftën e Dytë Botërore), si Ditën Evropiane të Kujtesës për viktimat e regjimeve totalitare, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në BE. Thirrja është për rritjen e ndërgjegjësimit të brezit të ri për këto çështje, përfshirë historinë e analizën e pasojave të regjimeve totalitare në kurrikulat e tekstet arsimore të të gjitha shkollave në BE.

Rezoluta që u është dërguar Këshillit Evropian, Komisionit Evropian, parlamenteve të vendeve anëtare (edhe Dumës ruse), si dhe parlamenteve të vendeve që kanë vuajtur komunizmin e nazizmin, përfshirë Shqipërinë, bën thirrje për një kulturë të përbashkët kujtese, që hedh poshtë krimet e regjimeve komuniste, fashiste, staliniste e regjimeve të tjera totalitare e autoritare të së kaluarës, si një mënyrë për të nxitur rezistencën ndaj kërcënimeve moderne për demokracinë.

Shqipëria, si një nga vendet që i ka përjetuar më egërsisht pasojat e diktaturës komuniste, ka më shumë nevojë për atë iniciativë konkrete të Parlamentit Evropian. Për 46 vjet, në vendin e izoluar u vranë mbi 6000 qytetarë, mbi 7000 të tjerë vdiqën në internime. 34 mijë të burgosur politikë e mbi 59 mijë të internuar dhe shifrat nuk janë shteruese. Në tri dekada pluralizëm, pa arritur ende të hapë negociatat e anëtarësimit, vendi anëtar i NATO-s, fatkeqësisht, ka ende personazhe aktivë të diktaturës në postet më të larta të shtetit, përfshirë individë të ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit. Harresa për atë periudhë po kultivohet në mënyrë tinëzare, përmes rehabilitimit të figurave e episodeve të regjimit, që masakroi popullin e vet, e sidomos shtresën më të arsimuar, intelektualët. Libra kujtimesh selektive e fragmente po aq selektive botohen si me porosi, pikërisht kur vendi duket pa rrugëdalje për shkak të inkriminimit, makutërisë e paaftësisë së një qeverie, që njëlloj si ajo e para viteve 1990, të zezën ua bënte qytetarëve të vet. Sot, shqiptarëve u pamundësohet e tashmja e u vritet e ardhmja. Ata po ua mbathin masivisht nga sytë këmbët, sa më larg, edhe me pasigurinë se duhet të nisin gjithçka nga e para, në vend të huaj.

Nën këtë qeveri të partisë së riemërtuar komuniste, portretet e diktatorit e simbolet e tij shfaqen si normalitet, si “e drejtë” e njeriut në demokraci. Tinëzisht, nderimi i Luftës Nacionalçlirimtare lidhet me figurat që ishin përgjegjëse për linçimin 46-vjeçar të shqiptarëve. Guximi i pacipë shkon edhe më tej, kur figura të regjimit nderohen pikërisht për shërbimet e kohës së diktaturës. E pamë së fundmi në Tepelenë, një personazh i njohur si personi përgjegjës për internimin e burgosjen ndaj “armiqve” të partisë në vitet 1970-80, Manxhar Binaj, tri dekada pas rrëzimit të diktaturës, shpallet “Qytetar nderi” i Tepelenës.

Është e pafalshme kjo që ndodh në vend. Kjo ndodh sepse periudha e diktaturës paketohet prej gjashtë vitesh si atraksion turistik, me muzeume e bunkerë, të mënyrave që përdorte regjimi kundër popullit të vet, duke u dhënë edhe tone ekzotike. Një sjellje që fyen e poshtëron viktimat e diktaturës e familjarët e tyre, tri dekada pas rrëzimit të regjimit më të egër komunist në Evropë.

Nisur nga qëndrimi i presidentit Trump e rezoluta e Parlamentit Evropian, Shqipëria duhet të risjellë në vëmendje të kaluarën e hapur të saj me diktaturën. Historia e emancipimit të një kombi është historia e hapjes dhe jo e mbylljes apo lënies në harresë të së vërtetës.

Janë sheshet e qyteteve antike, hapësira ku së pari, bashkë me votën e lirë dhe me fjalën e lirë, lindi demokracia, dhe jo qilarët e errët, aq shumë të dashur për kundërshtarët e saj. Është hapja (transparenca), dëshira për të vërtetën, ajo që i vuri krisjen në themele, asaj që dukej se nuk do të tundej kurrë, perandorisë komuniste. Me këtë situatë të tmerrshme sulmi të vazhdueshëm për të deformuar me çdo kusht moralin e një shoqërie të tërë, nga ata që rrënjët i kanë në historinë e zezë skëterrë të këtij vendi e që kurajën për të shpalosur injorancën dhe poshtërsinë e tyre e gjejnë falë zemërgjerësisë, qytetarisë e mençurisë së pjesës më të madhe të shqiptarëve që kanë zgjedhur të falin, por të mos harrojnë, Shqipëria nuk mund të quhet sot një vend i lirë, i cili ka nxjerrë mësime nga e shkuara dhe shikon përpara drejt së ardhmes. Jo, për fat të keq dhe çuditërisht janë pikërisht shkaktaret kryesorë të shkatërrimit dhe vuajtjeve më të mëdha të këtij vendi apo pasardhësit e tyre, që tentojnë me çdo mënyrë të mbrojnë dhe mitizojnë një sistem diktatorial gjakatar.

Në këto kushte, në Shqipëri, liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale. Brezit të ri të shqiptarëve që do marrë përgjegjësitë e vendit e të shoqërisë i bie barra historike që t’i ruajnë, t’i zhvillojnë e t’i mbrojnë bazuar mbi parimet dhe vlerat, ato parime e vlera që sollën triumfin e botës së qytetëruar, botës së lirë ndaj diktaturave të çdo lloji.