Luan Rama

Ishte e habitshme kjo koincidencë. Herë pas here kam shënuar në fletoret e mia ëndrrat, ato që kam mundur të mbaj mend, madje shpesh dhe ëndrra të përgjysmuara, pa fillim, pa fund, apo thjesht fundin e një ëndrre. Por, sidoqoftë, ato më shfaqeshin gjithnjë pas një ngjarje, traume, përplasje, historie, që rishfaqej në gjumë në forma të tjera, në pavetëdije. Disa prej tyre dhe i kam vizatuar, por unë s’di të vizatoj dhe më vjen të qesh kur i shoh ato shkarravina mbi ëndrrat e mia…

Kur më ra në dorë një album me vizatimet e Fellinit mbi ëndrrat e tij, kjo më habiti. Ëndrrat e tij ishin tejet të çuditshme, siç mund të jenë të një kineasti të madh me kryevepra që i mbetën kinemtaografisë botërore.

Po, Fellini jetonte shumë me ëndrrat. Ai mbante mend shumë prej tyre dhe i shkruante ato më pas. Madje dhe i vizatonte, dekoret, personazhet, ngjarjen.

Regjisori i madh Federico Fellini vazhdonte punën e tij edhe në ëndërr çka vihet re dhe në shumë episode onirike të filmave të tij. Gjenialitet më vete. Në ëndrrat e tij janë personazhet që e rrethojnë në jetë, gruaja e tij, aktorja Giulietta Mazini, apo producentë si Dino de Laurentis, miq të afërt, aktorë si Mastroianni, Anita Ekberg, Toto, De Sica, Strehler, Salvador Dali, Alberto Sordi, personazhet e filmit Otto e Mezo, “La Strada”, bota aventuroze felliniane me bordellot, prostitutat, kurvat tepër të shëndosha të periferisë së Romës, të cilat janë gjithnjë të dukshme në paraskenë të artit të tij të imazhit.

Fellini i donte shumë femrat e shëndosha, të kolme, me vithe të kërcyera dhe gjinj të stërmëdhenj e të varur si kacekë prehistorikë, çka duket dhe në filmat e tij. Por, jo vetëm atje, dhe në ëndërr…

“Ëndrrat janë kinemaja e të varfërve”, shkruante dikur një gazetar.

Në rini të tij apo fillimin e karrierës artistike, Fellini shkruante skenarë për radio. Pastaj erdhi kinematografia, neorealizmi me filmat e parë, “Le notti di Cabiria” e më vonë moderniteti fellinian si “Amarcord, “La Dolce vita, “La Citta delle donne” (me luftën mes sekseve dhe prishjen e komunikimit burrë-grua), “Il Casanova” apo së fundi “La voce della luna”, para se të vdiste më 1993… Dhe, kudo shumë skena janë imazhe të ëndrrave të tij. Por, më shpesh Fellini vuante në ëndrrat e tij: ato janë cfilitëse për të. Herë arrestohet, herë burgoset, herë duan ta varin, herë e përdhunojnë, herë pushkatohet apo detyrohet të fshihet nga policia, e cila e ndjek hap pas hapi.

Oh ç’jetë e mundimshme në endërr… Mundime dhe seks!

Çfarë ishte ëndrra e tij, çfarë janë ëndrrat tona, e të tjerëve, e miliarda njerëzve?

Padyshim një proces fizik apo alkimik që ndodh në trurin tonë gjatë gjumit. Ka ëndrra që mbahen mend, sigurisht të pakta, të tjerat shfaqen një çast dhe largohen me shpejtësi pa mundur t’i mbajmë edhe pak çaste, ka që rishfaqen dhe ne s’dimë fshihen, në cilat sirtare të trurit tonë me skuta të pafund, me lugina të errëta e të padeshifruara. Ëndrra që nganjëherë duket se i kemi përjetuar dikur, në një kohë të papërcaktuar. Besimtarët i shohin ëndrrat si mesazhe hyjnore, ardhur nga bota e sipërme sjellë s’dihet nga ç’hyjni e engjëj.

Edhe pse neuroshkenca ka bërë progrese të jashtëzakonshme, a arrijmë ne t’i deshifrojmë gjithë ato ëndrra dhe të zbulojmë se çfarë ndodh konkretisht në trurin tonë, në ato miliona neurone? Vallë si krijohet apo ndërtohet një ëndërr? Përse na rivijnë figura që i kemi parë para 20-30 vjetësh? Përse i kemi larguar ata prej kaq kohësh në labirintet e trurit tonë? Përse rendim në vende të çuditshme, në peizazhe herë idilike e herë hirëzeza, në botra që kurrë nuk i kemi parë.

Egjiptianët i jepnin një lloj shpjegimi ëndrrave, por gjithnjë të lidhur me faraonin. Mitologjia greke i lidhte me ëndrrat e Zeusit. “Morfe” ishte hyjnia e ëndrrave profetike. Sipas Platonit, Sokrati i konsideronte ato si dëshira apo mjedise të turpshme që çliroheshin në gjumë. Por, shekuj më vonë Freudi do të bënte hapin e parë revolucionar për shpjegimin e ëndrrave. “Interpretimi i ëndrrave është rruga e shkëlqyer që na çon në njohjen e inkoshiencës”, thoshte ai. Më pas ishte Jung ai që interpretonte ëndrrat, ku për të ëndrrat ishin “porta e hapur mbi inkoshiencën”. Në “Souvenirs, rêves et reflexions” (“Kujtime, ëndrra, refleksione”), ai theksonte se “eksperienca na tregon se ëndrrat përpiqen të shprehin gjithnjë diçka që vetvetja nuk arrin ta kuptojë”. Më vonë ishte postfrojdisti Jacques Lacan e të tjerët…

Ëndrrat që shohim të gjithë janë nga më të pabesueshme. Pse vallë? Ëndrrat, një mbretëri e të mundshmes! Borgesit i pëlqente shumë të tregonte ëndrrat. Fellini i shkruante. Regjisori japonez Akiro Kurosawa ka realizuar një film vetëm duke u bazuar në ëndrra. Kur ëndërron, padyshim je një lloj regjisori, një regjisor teatri e filmi, ku je ti ai që vendos dekorin, zgjedh kostumet e personazheve, vendos aktorët në pozicionet që do ti etj.

Por, jo rrallë është një fuqi tjetër që bën këtë mizanskenë onirike. Më së shumti duket se ëndrrat janë të këqija, të frikshme, të dhembshme, që ndikojnë në ritmin e zemrës, djersët, ankthin. Pak prej tyre janë të lumtura. Ka ëndrra perverse apo të tjera ëndrra seksuale që zgjidhin të pamundurën jetësore, reale, dëshirën e frustruar. Ka ëndrra vrasëse nga të cilat njeriu zgjohet me llahtarë.

Ëndrrat e Fellinit janë botuar në një libër të titulluar “Libri i ëndrrave të mia”, bashkë me ilustrimet e tij të cilat ai i kishte përgatitur që para se të vdiste. Janë ëndrra të shumta, në një hapësirë kohore të gjatë, nga 1961 në 1981. Por, le të lexojmë disa prej tyre.

1 janar 1961

Jam veshur si një romak i kohës antike dhe vetja më ngjan si një Ciceron i ngathët, gati për të hyrë në skenë. Zëri im është aq i fortë, saqë po të këndoj, duket se teatri do të shembet. Dhe vërtet, si në një film tmerri, shoh se teatri fillon të shembet. Punëtorët e skenës mbyten nga shembja në rrënojat… Pastaj ëndërroj sikur jam në “Via delle Mercede”. Bie shi. Një prostitutë e njohur dhe e fuqishme afrohet drejt meje me çadër (është një mike e Piccioccas që aq shumë i pëlqente ajo prostitutë e shëndoshë). Përpiqem t’i tërheq vëmendjen dhe i fërshëllej. Por, u bëra pishman që e thirra se kur u afrua ishte një kurvë plakë dhe ideja që t’ia fus në gojë, më pështirosi. Ja ku jemi në shtrat në një hotel të vogël të kategorisë së tretë. Dëgjojmë zhurmën e hapave të policëve që kanë kapur vrasësin e kurvës tjetër që është vrarë pardje. E marrin me pranga nëpër shkallë. Pikas që prostituta ime e ka mishin e bardhë, të butë dhe të këndshme. E pamundur ta mbaj veten. Mishi i saj më jep paqe dhe gjumë.

20 dhjetor 1961

Jam i burgosur në një burg kinez ku ka plot prostituta të veshura si gejsha. Ato janë shumë sadike dhe e njohin artin më të rafinuar dhe të egër të seksit. Janë me shumë fantazi. I ndjej rreth meje ashtu të fuqishme dhe të pabesa, ndjej aromën e gojëve të tyre të hapura dhe të uritura. Ato më kafshojnë supet, në krah, duke qeshur me të madhe me sy që u shkëlqejnë. Vallë lozin, tallen? Papritur vjen Leopoldo Trieste, i cili më thotë: Mbathja! Do të të hanë të gjallë! Por unë vazhdoja të përballesha me ato, i bindur se gjithë kjo ishte një lojë edhe pse e rrezikshme, edhe pse e dhunshme, një luftë e vërtetë, me kamzhikë, shqelma. Arrita të dal me ndjenjën se isha treguar i poshtër pse i kisha trajtuar ashtu ato prostituta.

22 shkurt 1962

Jemi në një delegacion dhe pritemi nga Hitleri. Më kujtohet se në delegacion me ne ishte dhe Gherardi. Është një dekor fetar, i rëndë, mbytës, si prej morti. Mermerë të ftohtë, kripte, kupola të errëta. Hitleri tutje bënte si palaço. Ai imitonte hierarkët fashistë. Na merrte për krahu shumë përzemërsisht. Në veturë me mua është dhe Titta, i cili i përgjigjet kortezisë së Hitlerit duke imituar Mussolinin, Staracen…. – Po në mbrëmje, çfarë bëni? – i them unë këtij gjaksori të çmendur. – Sonte do jem në meshën e një prifti të thjeshtë që do ta pushkatojmë nesër! – përgjigjet Hitleri. – Po prifti do të jetë në meshë? – e pyes unë. Ai tund kokën: – Jo. Ka ngrënë diçka prej orizi dhe s’mund të komunikojë dhe të flasë…

31 mars 1963.

Profesor Bernhard i fryn anusit tim dhe pastaj fut një fije bari që të më pastrojë.

15 qershor 1963

Giulietta ka hapur barin e saj dhe po pastron para hyrjes. – Si po shkon? – e pyes unë, – ndonjë të re? – Jo, por në vend të datës 4 ato erdhën në datën 7! Ajo bën aluzion për vonesën e menstruacioneve të saj. Largohem i dëshpëruar, por ku të shkoj. S’kam shtëpi ku të vete.

19 prill 1965

Isha i dënuar me varje. Në një terren të rëndomtë në periferi të Romës. Dikush më jep një letër të cilën pas tre-katër ditësh, një të diele, pra ditën e ekzekutimit tim duhet t’ia jap xhelatit. Ishte shkruar numri 69. Sa turp. Edhe për këtë ditë duan të tallen me mua? Të gjithë do të qeshin kur të paraqitem me këtë kartë. Xhelati është Gino Talamo, gjysmë lakuriq, si një lloj kllouni. Po a është i sigurt se po të mos paraqitem, kjo s’do të bjerë në sy?…

13 tetor 1966

Në një nga valixhet, Giulietta ka fshehur kufomën e Villalongas. Jemi në një hotel të madh duke ndërruar dhomën. Kam frikë se mos punonjësi i hotelit dyshon në diçka. Giulietta është moskokëçarëse, edhe pse është ajo vrasësja e Villalongas. Duket sikur e ka harruar këtë histori dhe merret me dhomën e re. Valixhja është vendosur në banjo. Të nesërmen vjen era e kufomës. Duhet ta zhdukim patjetër. Ndoshta do dal natën me valixhen në dorë, nëpër errësirë e mjegull, për ta hedhur në Tamise, apo diku jashtë qytetit. I bie rrotull hotelit për të gjetur aty afër ndonjë urë. Është dhe babai im që do të më ndihmojë. Jam i qetë dhe kjo gjë duket më e lehtë, por kur doja të kthehesha në qytet ngatërrova rrugën. Rrugës pyes dikë dhe ai më thotë se është nga Bolonja. Më duket se kam dy kufoma për të hedhur.

10 dhjetor 1966

Alberto Sordi është akuzuar për një krim të rëndë: 10 vjet burg. Në korridorin e burgut që kundërmon erë të qelbur, e shtrëngoj Sordin për krahësh dhe përpiqem ta ngushëlloj: “Nuk mund t’i shpëtosh fatit. Duhet ta pranosh këtë ngjarje të jetës. Ti s’mund ta shmangie atë…”

28 maj 1967

Giulietta është në kuzhinë dhe i thotë Ugo Tognazzit se unë kam ndryshuar mendimin për të dhe se nuk më përshtatet për filmin e ardhshëm. Pak më vonë Tognazzi më telefonon, por unë bëj gjoja se mund të ketë ende shpresë për të, meqë nuk kam kurajo t’i them të vërtetën. Por ai qan. – Pse qan? – i them unë. – Sepse ti s’do të më marrësh në film… Tashmë jam në një avion me motorë që bëjnë zhurmë. Avioni niset. Ku shkoj? Në Londër, Milano? Ndoshta në Londër. Papritur vendos të mos shkoj. Ju lutem atyre të zbres. Hotesa e avionit më jep valixhen, pallton dhe në portën e hapur është shkallarja, por sapo dal, pasagjerë të tjerë vijnë me vrap pas meje. Hotesa i pengon dhe më bllokon padashur që të dal. Në këtë çast avioni lëviz. Shkallarja largohet. Vallë kam kohë të hidhem poshtë? Ëndrra ndalon këtu. Jam në një avion në lëvizje. Po të hidhem mbase e kap shkallaren…

21 korrik 1967

Si zakonisht Giulietta është bërë sa një grusht nga e pira. Unë qaj dhe nuk e mbaj dot veten. Jam në ankth, kam keqardhje dhe klith: “S’do të vij më në shtëpi! Nuk dua të të braktis dashuria ime, por s’mund të të shoh më në këtë gjendje. Po iki përgjithmonë!”… Vallë për këtë arsye dua ta lë? Para syve tani kam një album të fotografive të jetës sonë të përbashkët, fotot e fejesës, të ditës së martesës etj. Por, të gjitha këto i shoh në një tis dëbore. Dëbora ka rënë në të gjitha episodet e jetës sonë. Qaj dhe zgjohem me zemrën tepër të trishtuar.

15 shkurt 1975.

Vazhdoj të ëndërroj se ngado që shkoj bëj “kaka” që qelb me një erë të keqe. I bëj pis brekët, këmishën. Madje dhe kravata më njolloset. Veshur me pizhame, në dorë mbaj një top “kaka” që sapo e kam nxjerrë.

25 korrik 1979

Marr vesh se Marcello (Mastroianni), të cilin e pashë në ëndërr ashtu të veshur e me makiazh, ishte tepër i zemëruar nga ajo ç’paskam thënë për të se gjoja nuk kam asnjë lloj simpatie për aftësinë aktoriale të tij dhe se jam bërë pishman që e kam marrë tashmë për një rol në filmin tim. Dëgjoj Marcellon që thotë: “Nëse ai s’më vlerëson, unë po iki dhe të mos flasim më për këtë histori!” Më duhet ta qetësoj dhe ta sjellë në formë, t’i them që kjo nuk është fare e vërtetë dhe se këto janë thjesht thashetheme, duke i pohuar gjithashtu se kam shumë besim tek ai…

23 dhjetor 1981

Jam i ftuar tek Gianni Agnelli bashkë me disa miq të tjerë. Pas darkës ne biem në shtrat që të gjithë bashkë. Midis meje dhe Agnellit, zonja N. gjysmë e zhveshur që po ia luan avokatit duke kthyer kurrizin. Kështu kalon e gjithë nata dhe në mëngjes N. bashkë me të tjerët del në park. Agnelli e vështron ashtu me atë pamjen e saj provokuese dhe nudo e më thotë: Çfarë seksi!…