Albin Kurti, lideri i LV-së, ia ka bërë të qartë sot LDK-së se nuk negociojnë me pozitën e kryeparlamentarit, post në të cilin është emëruar në seancën e 26 dhjetorit, Glauk Konjufca, raporton Gazeta Express.

Përmes një letre që sot është nisur nga LV-ja për në selinë e LDK-së, Kurti ka thënë se ishte vetë Lidhja Demokratike ajo që ka votuar Glauk Konjufcën, duke ua kujtuar atyre se ai është zgjedhur me 75 vota të deputetëve.

Ndër të tjerash, VV ia ka kujtuar LDK-së, konferencën e 26 dhjetorit të Isa Mustafës, kur ai kishte dalë nga mbledhja e kryesisë për të dhënë lajmin se kanë marrë vendim që të votojnë propozimet partisë së parë të dalë nga zgjedhjet.

Kurti ka thënë se nuk mund të kthehen para 6 shtatorit kur edhe është refuzuar ftesa për të shkuar me një listë të përbashkët, mirëpo, që shton se nuk mund të kthehen as para 26 dhjetorit kur është zgjedhur Konjufca.

Lideri i LV-së, i ka thënë Mustafës se ata mund të pendohen dhe të kërkojnë nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, mirëpo, VV shton se nuk do të ju ndihmojnë në këtë rrugë.