Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën ku i ftuar në interpelancë është ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, lidhur me themelimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës.

Partia Socialdemokrate, e cila e ka thirrur këtë interpelancë, ka paraqitur disa rekomandime në formë rezolute, ku Kuvendi kërkon nga Qeveria që të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani lidhur me regjistrimin e kësaj ndërmarrje të re energjetike.

Visar Ymeri nga PSD, prezantoi rekomandimet dhe shpjegoi arsyet e kundërshtimit të themelimit të ndërmarrjes së re energjetike.

“Ideja e themelimit të kësaj ndërmarrje publike është që të ndërmjetësohet dhe ky ndërmjetësim në tregun e energjisë të shfrytëzohet ose të përdoret si një lloj balancimi i çmimit të lartë të blerjes së megavatit të energjisë elektrike nga termocentrali Kosova e Re, dhe një çmimi të ulët të shitjes të distribuesi dhe furnizuesi i vetëm, ose operatori i vetëm që ka licencë furnizimi në Republikën e Kosovës, pra te KEDS-i, dhe në këtë drejtim, do të jenë paratë publike, të ndërmarrjes publike ato të cilat do t’i kompensojnë dy lloj fitimesh në sektorin ose segmentet e privatizuara të sistemit të tërësishëm energjetik”, tha ai.

Ai tha se Kuvendi duhet të kërkojë nga Qeveria dhe MZhE që të ndërpresë të gjithë veprimet e ndërmarra për regjistrimin e ndërmarrjes energjetike.

“Kuvendi kërkon nga qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik që të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani në lidhje me regjistrimin e ndërmarrjes së energjetike të Kosovës derisa Kuvendi të vendosë për garantim të marrëveshjes komerciale në mes të kompanisë Contour Global dhe Qeverisë së Kosovës për termocentralin Kosova e Re. Dhe, mos të lidhe asnjë marrëveshje kontraktuale derisa Kuvendi të vendosë për miratimin e garancionit dhe në këtë mënyrë të vendosë nëse është dakord me këtë kontratë të nënshkruar nga qeveria e Kosovës apo kërkon nga Qeveria që ta anulojë këtë kontratë dhe të gjej mënyra tjera të përshtatshme për Republikën e Kosovës për investimet në energji dhe për furnizim të duhur dhe bollshëm te qytetarëve dhe ekonomisë sonë me energji”, tha ai.

Ai tha se me punën e saj ndërmarrja publike NKEC do të shkaktojë monopol faktik në tregun e energjisë në Kosovë.

Duke iu referuar kontratës, Ymeri tha se Qeveria e Kosovë me propozimin e ministrit Lluka në mbledhjen 15 maj 2018 kishte marrë vendim për themelimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës NKEC me 100 përqind aksione nga Qeveria e Kosovës.

Ai shtoi se qeveria është e obliguar të themelojë këtë ndërmarrje për të ndërmjetësuar në mes kompanisë Contour Global dhe gjithë tregut energjetik të Kosovës.

Ai tha që sipas kontratës, ndërmarrja e re ka obligim kontraktual që tërë prodhimin e termocentralit të ri Kosova e Re, ta blejë nga Contour Global, edhe nëse nuk është e nevojshme për konsumin në Republikën e Kosovës.