Kuvendi ka miratuar me 66 vota për, formimin e komisionit Ad Hoc të propozuar nga deputeti Bilall Sherifi, për gjykimin e krimeve të luftës nga shteti serb ndaj popullit të Kosovës.

Pak ditë pasi kryeparlamentari Kadri Veseli paralajmëroi inicimin e formimit të një Gjykate Speciale për krimet dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë, Kuvendi i Kosovës nisi procedurat ligjore për forimin e një komisioni ad-hoc i cili do të bëjë hapat konkret për të propozuar nismat ligjore për këtë çështje.

Javën e kaluar, gjatë shënimit të përvjetorit të 20-të të krimeve në Lubizhdë të Hasit, kryeparlamentari Kadri Veseli deklaroi se bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështesë idenë e tij për formimin e Gjykatës Speciale për gjykimin e krimeve dhe masakrave që forcat paramilitare serbe i kanë kryetar në Kosovë.

Kurse sot Grupet Parlamentare propozuan anëtarët për këtë komision.

Avdullah Hoti nga LDK-ja propozoi Armend Zemaj si përfaqësues të komisionit.

“Shpresoj se nxjerrim një rezolutë të pranueshme për të gjithë deputetët e Kuvendit”.

Memli Krasniqi nga PDK-ja propozoi përfaqësues Mërgim Lushtaku.

Albulena Haxhiu nga VV-ja propozoi përfaqësuesen Saranda Bogujevci.

“Përfaqësuesja do ti japë të gjitha propozimet tona të shkruara. Jemi dëshmitar që as EULEX-i, as UNMIK-u nuk e kanë pasë as minimumin e vullnetit për të adresuar problemet e kryera nga Serbia”, tha ajo.

“Ne insistojmë që të ketë një gjykatë vendase dhe qëndrimet tjera do t’i adresojmë në këtë komision”.

Teuta Haxhiu nga AAK-ja propozoi përfaqësues Muharrem Nitajn.

“Është e rëndësishme që Kuvendi të flet më një zë përmes një rezolute”.

Shqipe Pantina nga PSD-ja propozoi Aida Dërgutin.

Albert Kinolli nga 6+ propozoi si përfaqësues Danush Ademi.

“Pas 20 viteve pas luftës ky hap është i qëlluar edhe pse pak i vonuar”, tha ai.