Me pseudonimin “Zo Za”, në Drejtorinë e Sigurimit dhe Kundërzbulimit në shënjestër të përgjimit ka qenë edhe kryeministri Zoran Zaev, atëherë lideri i opozitës.

Në seancën gjyqësore për rastin “Fortesa – Target”, informatori Zvonko Kostovski sqaroi se disa persona janë regjistruar dy herë, sepse janë paraqitur në biseda të ndryshme.

Ai gjithashtu tha se ish-shefi i Drejtorisë së Pestë Goran Gruevski, urdhëroi të instalohet një kompjuter i posaçëm në ndërtesën e njohur si “parlamentarja” afër stacionit të vjetër hekurudhor dhe prej atje ishte lidhur me pajisjet teknike në Ministrinë e Brendshme.

“Kjo ishte bërë me kërkesë të Goran Grujevskit me qëllim që logjistika të mos jetë e detyruar që çdo ditë të shkojë në ato hapësira dhe t’i marrë materialet, për shkak se në këtë mënyrë do të lindnin dyshime te banorët që jetojnë afër ndërtesës”, tha Zvonko Kostovski, dëshmitar.

Në seancën e sotme u prezantuan edhe materiale nga hard disku që Prokuroria Speciale Publike i ka marrë gjatë bastisjes në zyrën e Kostovskit në MPB, ndërsa ai sqaronte se çfarë do të thonë në fakt këto të dhëna.

Zvonko Kostovski, bashkë me kolegun e tij Gjorgji Llazarevski, kanë arritur që nga numri i përgjithshëm i objektiveve të paligjshme në DSK të nxjerrin dhe t’i dorëzojnë Zoran Verushevskit vetëm pesë për qind.

Dëshminë e Kostovskit në radhë të parë e dëgjoi ish-shefi i DSK-së Sasho Mijallkov, i cili ishte sjellë nga paraburgimi në Shutkë.

Përveç Mijallkovit, për përgjimin e paligjshëm në lëndën “Fortesa – Target” akuzohen edhe ish-ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska dhe të arratisurit Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski, si edhe gjashtë të punësuar tjerë në DSK.