Një zbulim sensacional –

E pabesueshme… Dora e Leonardo da Vinçit n’a rivjen sërish dhe n’a shfaqet me një krijim të panjohur: “Martiri San Sabestian”… Duket sikur ka zgjatur dorën sipër varrit për të na treguar dhe një vizatim të thjeshtë të tij. Martiri është atje, lidhur në një pemë të xhveshur, në një peizazh morti, në konvulsionet e tij, gjysmë i ç’veshur, me imazhin e martirit që mund të krijonte vetëm një artist si ai. Po, ishte madhështia e penës së tij duke punuar në atelierin e tij në Firenze, një vizatim i viteve 1478-1483. Një trup i goditur nga ndëshkimi, me kokën lart si të kërkonte ndihmë nga ndonjë hyjni. Linja të hedhura lirshëm, me një frymë, siç ndodhte në etydet e tij për të bërë pastaj tablotë e Monalizës apo Jezusë.

Si ndodhi kështu rishfaqja e këtij vizatimi të humbur të panjohur gjatë pesë shkeujve, pas aq e aq kërkimesh të studjuesve të ndryshëm që kërkonin në arkivat e Milanos, Venecies, Vatikanit, Londrës, Parisit apo Berlinit. Kështu, papritur, vizatimi u zgjua nga ajo përgjumje e madhe në dokumentet e nje njeriu të zakonshëm, ku një mjek francez, i cili kishte mbledhur vizatime të ndryshme që ruante i ati diku ne një dollap, vendosi një ditë ti çonte në Shtëpinë e Ankandit “Tajan” në Paris, për ti ekspertizuar dhe shitur. Ai kurrë nuk kishte menduar se mes tyre mund të ishin vizatime të Leonardos, vizatim i cili menjëherë u shpall “tresor national” (“thesar kombëtar” i Francës) dhe që shtepia “Tajan” kërkon ta shesë për 15 milionë euro. Edhe pse pa firmë eksperti i kesaj shtëpie botuese e kuptoi menjëherë se kishte të bënte me diçka disa shekullore dhe që i përkiste ndonjë piktori të Rilindjes italiane.

Po cilit?… Dhe kështu, pas tetëm uajsh Patrick … dhe më pas B , një eksperti i Da vinçit arritën nëk onkluzionin se vizatimi ishte i Leonardo da Vinçit. Dukej që ishte bërë nga një dorë e mëngjërt dhe Leonardo punonte gjithnjë me dorën e majtë. Ekspertët zbuluan se vizatimi i përkiste një fletë që i takonte fletoreve të vizatimeve që përbënin atë që quhet «Coodex Atlanticus».

E vështroj këtë vizatim dhe menjëherë më shfaqen imazhet e tablove të shkëlqyera të Mantegna-s për martirin San Sebastian (1480), apo  e tabosë së Tizanos, tablo këto të mëdha me ngjyra dhe plot kolorit. Por tek Leonardo, qëndrimi i përsonazhit është krejt tjetër. Një skicë e bërë aty për aty, me penën e tij (pendë) me bojë kafe, i ka dhënë figurës së martirit një pamje trallisëse, në çastin kur perandori romak, për ta ndëshkuar, urdhëroi ta qëllonin me shigjeta, lidhur pas një trungu. Fytyra e martirit është shumë shprehëse e po kështu dhe trupi, ku padyshim përsa i përket anatomisë, Leonardo mbetej mjeshtri më i madh i të gjitha kohrave. Vizatimi ka përmasat 19,3 x 13 cm… pra një fletë fletoreje, çka disa prej tyre i kemi parë në muzeun e Leonardos ne Close Lycée, në Amboise, ku ai jetoi gjersa vdiq. Martiri San Sebastian është trajtuar shumë dhe nga piktorë të tjerë të Rilindjes italiane apo piktorët spanjollë (El Greco), hollandezë, flamandë, etj. Nga Rilindja italiane më të njohura janë tablotë e Rafaelos, Botticelli, Perugini… Në Francë, kompozitori Debussy, krijoi muzikën e një baleti me temën e këtij martiri.

Kodikët e Da Vinci-t                                                    

Siç dihet, sipas testamentit të tij, pas një inventari të hollësishëm të tablove, vizatimeve, shkrimeve për pikturën, arkitekturën, shpikjet shkencore, esetë filozofike, etj, gjithë dokumentet e mjeshtrit të madh toskanas kaluan në trashëgimi të nxënësit të tij Francesco Meltzi, i cili e ndoqi atë deri në çastet e fundit. Shumë shkrime për artin, Meltzi i mblodhi dhe i tërhoqi në shtëpinë e tij në Vapria Adda, pranë Milanos, dhe hartoi atë që u quajt “Tratatto della pitura”. Ai donte t’i shiste shënimet dhe vizatimet e Leonardos, por askush nuk i blinte, pasi i shikonin pa ndonjë interes. Më vonë, dokumentet u shpërndanë dhe u shitën nga princat, fisnikët e mëdhenj dhe njerëzit e interesuar për gjeninë e Da Vinci-t. Vizatimi i martirit San Sebastian, në kohën kur trashëgimtarët e Meltzi-t i shitën dorëshkrimet tek skulptori Pompeo Leoni, përfshihej në një nga fletoret, në atë që do të quhej më pas «Kodiku Atlanticus». Por me vonë, si ndodhi me trashëgiminë e dorëshkrimeve të ndryshme të Leonardos, ato u shpërndanë sa në një oborr mbretëror në tjetrin. Prandaj dhe nga gjithë fondi i Leonardos me gati 10.000 vizatime e shënime shkencore e filozofike, u nda në disa kodikë si, «Kodiku i Madridit» një dubël-dorëshkrim me 197 faqe në bibliotekën mbretërore të Spanjës të cilat u zbuluan më 1965 dhe që kishin vizatime inxhinjerike të jashtëzakonshme; «Kodiku Leicester», i kontit Thomas Coke, i blerë më 1717 me 72 faqe; Kodiku i Windsor, në bibliotekën mbretërore të Anglisë në kështjellën Windsorit, etj.

Madje të dërguarit e Napoleonit më 1796 i morën nga Biblioteka princore (ambrosiane) e Milanos dhe i sollën në Francës. Por pas internimit të Napoleonit në ishullin e Saint Helenës, ato u transferuan përsëri në Milano. Interesi për to u shtua më shumë gjatë shekullit XX, kur disa biblioteka dhe muzeume të Europës dhe të Amerikës filluan t’i blenin për arkivat e tyre. Një nga më të fundit ishte dhe një shitje e Kodikut të Da Vinci-t në vitin 1994, prej 72 faqesh me shkrime e vizatime të viteve 1506-1508, (përfshi këtu vëzhgime mbi masën dhe formën e hënës), kur patroni miliarder i «Occidental Petroleum», amerikani 83 vjeçar Armand Hammer kërkonte një shifër astronomike: 23 milionë franga, ndërkohë që Bibla e Guttenberg në New York, më 1978, kishte kushtuar veçse 10 milion. Shkrimet dhe vizatimet e tij të shpërndara nëpër kodikë të ndryshëm, herë-herë janë të një periudhe apo të një fushe të caktuar dhe herë të tjera janë të përzjera. Ndër kodikët e sistemuar nga studjues të Da Vinci-t, kodikët e mjeshtrit janë kualifikuar në: «Codex Arnudel», koleksion ky që ruhet në British Library me dokumente që kapin periudhën 1498-1518, me vizatimet për kanalin e Romorantin të Francës dhe pallatin mbretëror, të çka e kishte porositur François I; «Codex Forster»  (John Forster), që ndodhet po në Londër, por në Victoria and Albert Museum (më së shumti me dokumente rreth gjeometrisë, hidraulikës, etj; «Codex Atlanticus», me 12 volume, i cili gjendet në Bibliotekën «ambrosiane» të Milanos dhe që përfshin skica e shënime për balistikën, astronominë, gjeometrinë, hidraulikën, etj.

Ky kodik (Codex) u quajt Atlanticus për formatin e madh që kishte (lidhur me veshje lëkure nga vetë Pompeo Leoni) në dimensionet 64,5×43,4 cm., çka të krijonte atlaset e vjetra. Janë gjithashtu «Codex Trivulzianus», i cili gjendet në kështjellën e princave Sforza të Milanos, me shënime e skica rreth arkitekturës, anatomisë, kuajve, gjeometrisë, ku madje ka dhe karikatura; «Codex Ashburnam» i ndarë në dy pjesë, ku njëra ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Francës, BNF dhe tjetra në Bibliotekën e Institut de France; një kodik mbi fluturimin e zogjve «(«Kodiku i zogjve»)që ndodhet në Bibliotekën Mbretërore të Torinos, etj. Nga 13.000 vizatime që kishte trashëguar nipi i tij Meltzi, sot ekzistojnë veçse 7.000, pra afërsisht gjysma kanë humbur. Sidoqoftë, para se të vdiste, krahas vëzhgimeve të tij për madhësinë dhe formën e hënës, Leonardo shkroi dhe një vëllim të fundit me mendimet e tij për pikturën.

Mesa duket aventura e Da Vinçit nuk ka mbaruar. «Prushet» e fjetura të mjeshtrit rizgjohen dhe n’a shfaqen e madhështinë e një arti të jashtëzakonshëm. Vallë si do të ishte ky vizatim po të ishte kthyer në një tablo me ngjyra të dimensioneve të mëdha që pikturonte Leonardo. Padyshim do të kishte qenë shumë më e bukur se ajo e Tiziano-s dhe e Montegna-s, pasi Leonardo ka bërë një zgjidhje tjetër për figurën e tij.

Martiri i tij nuk qëndron në formë ballore dhe pa përpëlitjen e një martiri, por ndryshe nga ta, përmes tij, ne ndjejmë vërtetë martizimin e heroit të Da Vinçit. Sidoqoftë, Franca ka vetëm 30 muaj afat për ta mbajtur brenda territorit të saj nëse ndonjë nga institucionet e saj dhe së pari Musée du Louvre apo Musée d’Orsay do ta blinin për 15 million euro. Në mos, jo pak institucione amerikane, kineze, japoneze, etj, apo biznesmenë të mëdhenj do ta blejnë dhe ky vizatim do ti mungojë Francës…

Po, Leonardo është në ankand… e megjithatë, zbulimi i  rastësishëm i këtij vizatimi është padyshim një ngjarje në fondin e trashëgimisë botërore. Ardhja në Francë pranë mbretit François I-rë, i ndali hovet krijuese pikturale të Leonardos, por ndërkohë bëri të zhvillohej një trashëgimi tjetër: ajo e vizatimeve, shpikjeve të jashtëzakonshmë, studimeve shkencore dhe zbulimit të anatomisë njerezore, për çka Leonardo i ri kishte punuar vite me rradhë.

Më 18 shkurt kam shansin që ta shoh nga afër këtë vizatim që do të ekspozohet nga «Shtëpia Tajan» në zemër të Parisit.

Luan Rama