Më shumë se 40 njerëz janë plagosur kur një makinë bombë shpërtheu në një kompleks ku banonin të huajt, në lindje të kryeqytetit afgan, Kabul.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Najib Danish tha se sulmi shënjestroi “Fshatin e Gjelbër” pjesë kjo ku jetonin disa punëtorë të Organizatave Joqeveritare.

Zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë, Waheed Mayar shkroi në Twitter “më shumë se 40 njerëz janë plagosur”.

Deri para disa kohësh, një numër i punonjësve të OKB-së, jetonin dhe punonin në këtë kompleks, por zona tash ishte kryesisht bosh dhe se aty kishin mbetur vetëm një numër i rojeve.

Sulmi bëhet në kohën kur i dërguari i SHBA-së, Zalmay Khalilzad po viziton rajonin për takime me qëllim të përfundimit të luftës 17 vjeçare në Afganistan.

Javën e kaluar, udhëheqësit talibanë hodhën posht një rund të ri bisedimesh me zyrtarët amerikanë në Katar, si dhe refuzuan që në takim të marrin pjesë edhe zyrtarë të qeverisë afgane.