Pas publikimit të fotos së personit në kërkim nga Policia, qytetarët ndihmuan Policinë e Kosovës për arrestimin e personit të kërkuar për dy (2) vepra penale ‘vrasje në tentativë’- në kërkim nga Gjykata Themelore në Pejë, dhe një (1) vepër ‘vetëgjyqësi’- në kërkim nga Gjykata Themelore në Gjakovë

Policia e Kosovës -Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, me datë 30.08.2019, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarë për arrestimin e personit të kërkuar LUAN ( Muhamet) LAJQI, i cili kërkohej për dy (2) vepra penale ‘vrasje në tentativë’ në kërkim nga Gjykata Themelore në Pejë, dhe një (1) vepër ‘vetëgjyqësi’, në kërkim nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

Policia e Kosovës falë bashkëpunimit me qytetarë pas publikimit të fotos së personit të kërkuar, ka arritur të siguroj informacion lidhur me vendndodhjen e të kërkuarit dhe sot me datë 02.12.2019 rreth orës 15:30 në fshatin Llukë e Epërme –Deçan , është bërë arrestimi i tij nga njësitet policore të stacionit policor në Deçan.

“Sektori i hetimeve në Deçan kanë arrestuar të dyshuarin e lartcekur i cili është i dënuar me një vit e tre muaj burgim për veprën penale ‘vetëgjyqësi. Ky dënim ju ka shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë me emrin Argjend MOLLIQAJ. I njëjti e ka ndërruar emrin nga Argjend MOLLIQAJ, në Luan LAJQI dhe me ketë emrin e fundit i njëjti po ashtu ka qene i kërkuar me Urdhëresë për sjellje me forcë , të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë. I dyshuari i lartcekur është dërguar ne vuajtje dënimi”, thuhet në njoftim.

Policia thotë se, rritja e besimit në Policinë e Kosovës, rritja e bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e tyre do të qojë në përforcimin e mëtejshëm të Policisë dhe në të njëjtën kohë edhe në rritjen e efikasitetit dhe suksesit në punët policore.

“Për suksese në parandalimin e krimeve, qytetarët nuk duhet hezituar, duhet të kthehen në Polici pa uniforma dhe vetëm me bashkëpunimin e tyre si në të gjitha vendet e qytetëruara, do të arrijmë të jetojmë në një vend më të sigurt. Policinë e Kosovës në Rajonin e Pejës e ndihmuan qytetarët dhe falënderojmë të gjithë për besimin dhe shtimin e bashkëpunimit në realizimin e planeve për të mirën e vet qytetarëve dhe vendit”.