E gjithë vëmendja e medieve spanjolle është kthyer kah ndeshja e dytë e Barcelonës kundër Manchester United.
Në kuadër të Ligës së Kampionëve, në fazën çerekfinale, Barcelona do ta presë skuadrën e United për ndeshjen e kthimit.

Nga ndeshja e parë, skuadra e Ernesto Valverde gëzon avantazhin e një goli, pasi në ‘Old Trafford’ ishte Luke Shaë që shtyu topin në rrjetën e tij.

Shpresat për ‘djajtë e kuq’ nuk janë shuar, pasi një rikthim spektakolar kishin bërë edhe kundër PSG dhe synojnë që ta bëjnë edhe me Barcën.

Sigurisht, Valverde ka marrë masat për të parandaluar të gjitha befasitë. Por, mediet spanjolle kanë zbuluar sot planet e trajnerit për formacionin.

‘Marca’ shkruan se skuadra e Barcelonës do të paraqitet me formacionin e njëjtë si në Angli, me të vetmin ndryshim të mundshëm në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku në balotazh shkojnë Nelson Semedo dhe Sergi Roberto

Por, një verson të ndryshëm nga ‘Marca’ e jep ‘Sport’, të cilët presin një ndryshim të madh nga trajneri i katalanëve.

Sipas tyre, pas rikthimit të Ousmane Dembele në ndeshjen ndaj Huesca, trajneri do ta përdor francezin në treshen e sulmit, duke lënë anash Philippe Coutinhon.

Hera e fundit kur Dembele, Messi dhe Suarez kanë startuar në një ndeshje, ka qenë ajo kundër Lyon, në fitoren 5:1