“Po bota nuk e ka nji vend dhe për ne
Nuk jem’ t’ktuhit.
Jem’ sytë e nji universi t’largtë
Që era i pruni këtu padashtë”

Një “melodi e kputun”  të duket sikur të tingëllon përgjatë vargjeve të poezive të këtij vëllimi poetik.
Me një frymë ekspresioniste shpaloset bota e brendshme subjektive e poetes: brengat, dhimbjet, vetmia, ëndrrat , “gacat e dashnisë”, “shpirti i etun e i thamë”, “rropullitë e kujtimeve”, “ujna trishtimesh” etj.
Poezia e saj “ulëret nëpër terrina, kërkon ndihmë, thërret shpirtin”.

“Britma e shpirtit tim asht mbytë mbrenda mishi.
Kam ardhë te ti si ashkël druni e preme..”

Shpirti trazohet nga bota e jashtme, njerëzit, dashuria e pamundur, nuk i përket këtij vendi, por zgjedh të vijë aty përmes poezisë. Andaj rebelohet, thërret, vuan, ulëret, kërkon dashurinë:

“Shpirti do m’u kish zgurdullue sysh
 për darkë e drekë
 vorbën e territ e kisha shprazë n’fyt
 me t’pa harrue kisha dekë”.

“Njeriu ka dëgjuar gjatë duke heshtur, tashti ai do që shpirti të përgjigjet”. Këto janë disa mendime të shkëputura nga një ese e Herman Bahr, në të cilën flet mbi artin dhe i qëndrojnë kaq natyrshëm vargjeve poetike të këtij vëllimi me poezi.

Nëse do i bënim një analizë shumëllojshmërisë së titujve poetikë (“Notat e syve”, “Verbimi”, “Drita e qielltë”, “Tingulli i gjakut”, “Nandë qyqet e natës”, “Orfeut”, “Andrrat tona për vetvrasjen”, “Britma”, “Kjo asht e fundit”, “Ka me ardh një ditë” etj.,), do të vinim re një një “shpirt-ëndje-prishur”, për të cilin poezia bëhet eliksir. Asociohen me ikjen, vdekjen, lutjen, pëshpërimën, dashurinë, erosin, qiellin e dritën. Poezitë në përgjithësi na vinë si një sintezë sakrale, shpirtërore, të ndërtuara me një stil vetjak e me një gegërishte unike në llojin e saj.

Melodia e kputun” rrjedh nëpër “Kangë Frymësh“..

Metafora “melodia e kputun”, njëkohësisht titull i një prej poezive të Migjenit, ndihet edhe në ciklin “Kangë Frymësh“, pjesë e vëllimit poetik “Na nuk jena t”ktuhit”.
Melodi e kputun” bart në vetvete kuptimin e shpresës së humbur, pesimizmit, andrallave të jetës, kataklizmës së shpirtit që transmetohen përmes vargjeve elegjiake, thirrëse e profane në “Kangë Frymësh“. Kësisoj në poezinë “Bane Zo andërr”, kemi një lutje drejtuar hyjit për një dashuri të munguar:

“Bane Zo zjarr zemrën se për të u lut ditë e nat!
 E shtrime për dheun e ranës së vramë.
 Gjaku iu helmue mbrëmjes, e dashti e se pat….”

Vetë emërtimi i këtij cikli tregon që kemi të bëjmë me poezi të kurmit poetik, janë frymë e shpirtit të kanosur prej dhimbjeve e humbjeve. Poetja i këndon dashurisë sublime, asaj më të pastrës e më të shenjtës:

“I dashtuni im asht prej ajrit                                 “I dashtuni im asht prej drite

 hyn e del mushknive t’mia..”                                dhe pse netësh asht terr”.

Ndërkaq, shpaloset edhe figura e femrës e  kundruar me sy largpamës, e rimishëruar në qenie mitike, të cilën orakujt e qiejve ndoshta e sollën gabimisht në tokë, në një vend ku i mëkuan veç dhimbjen. Femra për të cilën flet poetja nuk është dhe nuk don’ të jetë Magdalenë e as Helenë, por është “prej nji universi t’largtë/ që era e pruni këtu padashtë”.

Poezitë karakterizohen nga tre ngjyra: e kuqja, e kaltra, e zeza, simbolika e të cilave krijon një lidhje solide mes tyre. Pra, vargjet përshkohen prej ekstazës, përndezjes, sublimes, eksplorimit, pafundësisë, infinitit por nga ana tjetër kemi edhe të errëten, mallkimin e forcën diabolike.

“….herë merr ngjyrën e zjarrmit           
Herë dritën e Diellit…”                         

 “Ngjyrat e qellit i piu nata me nj hurb..”
“As bardh, as zi nata që e ngulfatun shtrihet mes nesh..”

Një tjetër tipar i dukshëm nëpër poezi është edhe errësira, natyra vjeshtore, shiu, nata etj., të cilat janë ekuivalente me trishtimin, melankolinë, ndjenjën e mungesës dhe vetmisë, por edhe zgjimin e instikteve e ndjenjave, sepse gjatë natës “ndihet ngjyra e kuqe deri n’asht” dhe “mendimi për ty nuk ikë, nuk vdes”. 
Nga një luftë me errësirën dhe dhimbjen, mallin e pikëllimin, kujtimet të mbajnë gjallë shpirtin:

“Me nji kujtesë kohësh t’shkapetun copë
biem kryekëput si me qenë tërmeke.
N’kupa religjionesh t’rrëzueme për tokë,

Pa ditë ku jem’ t’gjallë as ku kem’ me vdekë!”, në këto vargje na transmetohet një ndjenjë e kaluar, e cila ringjallet nga magjia ndjellëse e fjalëve dhe e kujtimeve, pra me këtë kuptojmë që për poeten dimensioni kryesor i përkohshmërisë ishte e kaluara, dhe zgjimi i saj përmes vargjeve.

Poetja aspiron drejt idealit, drejt të pazakontës, ajo nuk pajtohet me botën që e rrethon, me një shpirt të tejmbushur duket sikur do të shpërthejë, ama “ka me ardh një ditë” ku “shpirti do mbushet me yje dhe kryet me qiell”./Edona Marku