Foto ilustrim
Mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë do të mund të shkojnë në grevë të përgjithshme në fund të këtij muaji, nëse nuk përmbushën kërkesat e tyre për rritjen e koeficientit të pagave, si dhe të miratohet ligji për mësimdhënësit e viteve ’90-ta.

Kështu ka thënë për lajmi.net, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, derisa ka shtuar se ky paralajmërim për greve është bërë në mënyrë që të nxiten dy komisionet parlamentare.

Jashari ka thënë se Komisioni Parlamentarë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e ka zvarritur për një kohë të gjatë debatin për projektligjin e viteve ’90-ta.

“Është e vërtetë që SBASHK-u ka paralajmëruar një grevë të përgjithshme dhe kjo mund të ndodhë në fund të nëntorit, duke filluar nga çerdhet pastaj arsimi parauniversitar po edhe universitetet në tërësi, në një grevë të përgjithshme, arsyet për këtë është sfidat që i kemi lidhur me dy ligjet, është fjala për projektligjin për statusin e punëtorëve për arsimin shqip në Kosovë në vitet ’90-ta si dhe ligji i pagave. Ky paralajmërim për greve është bërë në mënyrë që të nxiten dy komisionet parlamentare, Komisioni për Arsim, i cili tani më nuk po dimë as arsyen, se e ka zvarritur bukur gjatë debatin publikë për projektligjin e viteve 90-ta, dhe ne i kemi paralajmëruar se ata ashtu siç na kanë premtuar, pasi që është kryer çdo imtësi e debatit ta dërgojnë këtë projektligjin për vitet ’90-ta në parlament për procedura të mëtutjeshme dhe për leximin e dyte”, ka thënë Jashari.

Ai po ashtu ka thënë se SBASHK-u nuk mund të pres pa kufi dhe se sipas tij nëse nuk ka sinjale se projektligji për paga do të ndryshojë dhe se në qoftë se Komisioni Parlamentar vazhdon ta mbajë në sirtarët projektligjin për vitet ’90-ta, atëherë ai thotë se do të thërras Këshillin Drejtuese të SBASHK-ut, të cilët sipas tij, do të vendosin në emër të mësimdhënësve për grevë të përgjithshme në të gjitha institucionet e arsimit në Kosovë.

“Nga ana tjetër kemi paralajmëruar dhe i kemi bërë të qartë opinionit veçmas institucioneve të Kosovës se premtimet që na janë dhënë për ndryshimet, korrigjimet e duhura që duhet bërë në ligjin për pagat duhet të ndodhin në Komisionin Parlamentar për Administratë. Mirëpo SBASHK-u nuk mund të pres pa kufi, po them nëse nuk kemi sinjale dhe dëshmi të sakat se projektligji për paga do të ndryshoj, në qoftë se Komisioni Parlamentarë pa arsye vazhdon ta mbajë në sirtarët e vet projektligjin për vitet ’90-ta atëherë do të thërras, e kam obligim, këshillin Drejtuese të SBASHK-ut, në fundin e muajit nëntor dhe ata do të vendosin në emër të mësimdhënësve, dhe unë po frikësohem se ky vendim do të jetë greve e përgjithshme në të gjitha institucionet e arsimit në Kosovë”, ka theksuar me tej Jashari.