Me librin e tij të dytë, shkrimtari Nicolas Mathieu ia ka dalë që të jetë laureat i njërit prej çmimeve më të rëndësishme në letërsi sa i përket botës frankofone. Me veprën “Leurs enfants après eux” (Fëmijët e tyre pas tyre) ka fituar çmimin prestigjioz “Goncourt”. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i Çmimit, Bernard Pivot. Vepra është një paraqitje politike dhe sociale, por edhe një roman që flet për adoleshencën.

Romancieri 40-vjeçar në votat e jurisë ka mposhtur shkrimtarin Paul Greveilac që konkurronte me librin “Maîtres et esclaves” (Pronarë dhe skllevër), një rrëfim madhështor për Kinën e kuqe. Në raundin e katërt të votimit me gjashtë vota pro dhe katër kundër Mathieu ka fituar përballë kundërkandidatit kryesor. Sipas të dhënave të shtëpisë botuese të librit, deri tash janë shitur 40 mijë ekzemplarë e 50 mijë të tjera janë në shtyp për ribotim.