Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, ka thënë se për t’u bërë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës kjo parti do të kërkojë poste ministrore.

Ai ka treguar se kjo parti në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet me dy deputetë dhe i takon një ministri.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Damka ka deklaruar se me marrjen e përgjegjësive të reja në qeverinë e re do të bëjnë punë produktive ashtu siç kanë bërë edhe në qeveritë e kaluara. “Në qeverinë e re si me deputetë nga komuniteti turk, sigurisht do të kërkojmë detyra ministrore. Unë besoj që si komuniteti turk kemi bërë punë të lëvdueshme në qeveritë e kaluara. Do të bëjmëpunë edhe më të mira në qeverinë e re”, ka thënë ai.

I pari i KDTP-së ka përmendur edhe kërkesat e tjera të kësaj partie që do t’i ketë ndaj mandatarit për formimin e qeverisë. “Një nga kërkesat tona do të jetë që të kemi më shumë përfaqësim të komunitetit turk në institucionet e Kosovës, duke mos dhënë kushte për krijim e qeverisë”, është shprehur ai.

Damka si kryetar i ri i kësaj partie ka folur edhe përprocesin e brendshëm partiak që e ka bërë shef të KDTP-së. Ai është zotuar se do të angazhohet për zgjidhjen e të gjitha problemeve të komunitetit turk në Kosovë.

“Falënderoj edhe një herë të gjithë delegatë që më kanë zgjedhur mua kryetar të partisë. KDTP-ja është partia e vetme që përfaqëson komunitetin turk në Kosovë. Kështu që detyrat tona kryesore janë: të interesohemi për problemet në komunitetin turk në Kosovë, t’i krijojmë zgjidhjet për problemet, sidomos në arsim dhe në kulturë. Gjithashtu, punësimi i të rinjve nga komuniteti turk është një nga përparësitë tonë”, ka thënë Damka.

Ai nuk është shprehur i kënaqur me rezultatin që kjo parti ka arritur në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Damka është zotuar se do të angazhohet maksimalisht që ta rritë numrin e votave për këtë parti në zgjedhjet lokale. “Rezultatet e zgjedhjeve më 6 tetor janë shembulli më i dukshëm i nevojës për ndryshimin në tërë Kosovën. Dua të them se kemi pësuar ulje të votave për sa i përket KDTP-së dhe nuk jam kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve. Por besoj se do t’i analizojmë mirë rezultatet e zgjedhjeve dhe do të mundohemi të rrisim këtë në zgjedhjet lokale”, ka thënë Damka.