Partitë politike shqiptare ende nuk kanë përgjigje konkrete ndaj thirrjes së kryeministrit Zoran Zaev për kandidat të përbashkët konsensual.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dje deklaroi se do përpiqen të gjejnë shteg për kandidat të përbashkët me LSDM-në.

Ndërsa partneri tjetër qeveritar, BESA e Afrim Gashit, thotë se vendimi pritet të merret në organet e partisë.

“Jemi duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë për pjesëmarrje në zgjedhjet presidenciale dhe organet e partisë do të marrin vendimin më të pranuar për strukturat tona”, thonë nga Lëvizja BESA, krahu i Afrim Gashit.

Pa vendim të prerë janë edhe partitë opozitare shqiptare. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se presin vendimin e kryesisë.

“I kemi shqyrtuar disa opsione, në takimin e radhës së Kryesisë me siguri do të definohet qëndrimi”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët, raporton Alsat M.

Ndërsa nga BESA e krahut të Bilall Kasamit, nënvizojnë se nuk kanë marrë ftesë konkrete nga kryeministri Zaev.

Ndërsa presin vendimin e ASH-së për të dalë me kandidat të përbashkët.

“Nuk kemi marrë ndonjë ftesë nga kryeministri rreth çështje. Jemi të fokusuar në fuqizimin e votës shqiptare në maksimum dhe jemi duke punuar në atë drejtim. Nuk kemi dhe bisedime me ASH-në. Nga komunikimi i fundit mbetet që të mbajnë mbledhje të Kryesisë dhe të na njoftojnë a janë të gatshëm të ulemi për biseda. ASH ende nuk ka dhënë përgjigje”, pohuan nga Lëvizja BESA, krahu i Bilall Kasamit.

Përderisa nga LSDM-ja, edhe sot, nuk ka asnjë përgjigje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, VMRO-DPMNE insiston. Kryetari, Hristijan Mickovski, përmes një video, u kërkon qytetarëve të dalin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të penguar varfërinë e vendit dhe politikat e gabuara të pushtetit të udhëhequr nga LSDM.

“Duhen zgjedhje, Ju të vendosni se në çfarë atdheu dëshironi të jetoni. Unë e di se nuk jeni për Maqedoni të Veriut të varfër dhe të poshtëruar. Unë e di se jeni për Maqedoni të suksesshme dhe të pasur. Andaj ejani në zgjedhje. Le të ngroh agimi i lirisë”, tha Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Pasi kryetari i Kuvendit, të premten i shpalli zgjedhjet presidenciale, deri më 21 mars, partitë politike do të duhet të dorëzojnë kandidatët e tyre në KSHZ.

Rrethi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 21 prill, ndërsa rrethi i dytë më 5 maj