Udhëheqësit politikë të Kosovës, që nga paslufta, e kanë plotësuar çdo kusht apo dëshirë që e ka paraqitur bashkësia ndërkombëtare.

Daut Dauti

Politikanët e Kosovës e kanë krijuar një udhë për plotësimin e kërkesave të cilat më shumë se shpesh kanë qenë të çuditshme, por edhe në dëm të Kosovës.

Tashti, bashkësia ndërkombëtare, sidomos Unioni Evropian, nuk po del nga kjo udhë kur ka të bëjë me çështjet e Kosovës.

Trepça është pasuri e Kosovës dhe nuk duhet kurrsesi të futet në diskutim gjatë bisedimeve me Serbinë e cila nuk ka kurrfarë të drejtash ndaj kësaj miniere.

Nëse ndonjë shtet tjetër, pos Kosovës, ka të drejta të diskutoj fatin e Trepçës, është vetëm Britania e Madhe.

Për herë të parë në historinë bashkëkohore të xehetarisë dhe industrisë, emri “Trepça” figuron me rastin e regjistrimit të saj si kompani britanike më 9 dhjetor 1927 në Londër.

“Trepca Mines Limited” ishte pjesë e një kompanie të madhe, “Selection Trust”. “Trepca Mines Ltd.”, me investimet e saja e ka rimëkëmbur dhe modernizuar tërë kompleksin industrial që sot njihet me emrin Trepça.

Kompania britanike, sipas kontratës së koncesionit, është dashur ta shfrytëzojë Trepçën deri në vitin 1972. Por, e ka shfrytëzuar vetëm deri në vitin 1941 kur e morën nazistët gjermanë kurse në vitin 1946 u nacionalizua nga regjimi komunist jugosllav pa ndonjë shpërblim adekuat.