Në takimin e thirrur sot nga i pari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli për harmonizim të qëndrimeve rreth rezolutës së dialogut Kosovë-Serbi, ku kanë qenë të ftuar të gjitha partitë politike, ftesës i janë përgjigjur kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri si dhe dy partitë opozitare, PSD-ja dhe Alternativa.

Veseli është shprehur i bindur se do të arrihet konsensus për dialogun por ka theksuar njëkohësisht që kufijtë nuk do të diskutohen.

“Bashkë me partnerët e koalicionit dhe përfaqësuesit e opozitës nga Partia Socialdemokrate dhe Alternativa diskutuam për Draft-Rezolutën për Dialogun. Ishte një diskutim i frytshëm dhe një hap i rëndësishëm drejt arritjes së konsensusit”, ka thë Veseli duke i falenderuar PSD-në dhe Alternativën për qasjen konstruktive në një proces që “është vetëm në interes të shtetit të Kosovës”.

Kryepasrlamentari Veseli ka ftuar sërish Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që t’i bashkohen diskutimeve për këtë Projekt-Rezolutë.

“Së bashku, e forcojmë pozicionin e Kosovës në Dialog, finalja e të cilit i siguron Kosovës njohjen reciproke, ulësen në OKB dhe anëtarësimin në NATO e BE”, ka theksuar Veseli.

Dy partitë opozitare të cilat nuk i janë përgjigjur ftesë së Veselit, LDK e VV kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në takime të tilla pasi rezoluta e tillë veç do ta legjitimonte, sipas tyre, aventurën personale të Hashim Thaçit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar pas takimit që organizoi kryeparlamentari Kadri Veseli me partitë politike rreth rezolutës për dialogun.

Hoti ka thënë se personat që po përpiqen të kontrabandojnë veten në këtë dialog, kanë qenë penguesit kryesorë për ta mbrojtur shtetin. Madje Hoti tha se të tillëve jo që nuk duhet votuar rezolutën që  e kanë propozuar, por duhet që sa më shpejt të largohen nga pushteti.

Në anën tjetër, deputeti i po kësaj partie, Haxhi Avdyli, në një prononcim për Gazetën Observer thotë se dy partitë të cilat kanë marrë pjesë në takime përkrah pozitës, PSD dhe Alternativa, po ja bëjnë votat qeverisjes së keqe.

“Opozita duhet të jetë më unike në qëndrimet e saja, por si duket këto dy parti kanë frikë nëse ne jemi bashkë dhe mund të shkojmë në zgjedhje. Ata po parapëlqejmë të jenë me Kadri Veselin derisa në të shumtën e rasteve kanë qenë kritikuese të tij. Krejt kjo në bazë të fjalimeve, por jo edhe në bazë të veprave. Duhet theksuar se Alternativa është sot aty ku është falë elektoratit të LDK-së”, ka thënë Avdyli.

Sipas tij opozita duhet të bëhet bashkë për ta rrëzuar këtë qeveri plot skandale dhe keqpërdorime.

“E kuptoj frikën e zgjedhjeve edhe të PDK-së, por nuk e besoj se duhet të frikësohet PSD dhe Alternativa. Këto dy parti që kanë marrë pjesë sot në këtë takim me Veselin nuk duhet të luajnë rolin e të bërit kinse ne jemi opozitë, derisa në të njëjtën kohë me njëfarë mënyre veç po ja bëjnë votat pozitës dhe qeverisë së keqe. Ky vend duhet të shkojë në zgjedhje të reja demokratike ku më pastaj do të zgjidhej një qeveri legjitime e shumicës së shqiptarëve dhe e cila nuk është e shantazhuar nga Lista SRPSKA”, ka deklaruar më tej Avdyli.

Drita Millaku nga Vetëvendosje për Gazetën Observer tha rezoluta e Kadri Veselit është legjimitet për Hashim Thaçin.

“Së pari dua të theksoj se rezoluta e Kadri Veselit nuk është asgjë tjetër veçse legjimitet për Hashim Thaçin andaj ne si Vetëvendosje jemi të vetëdijshëm për lojërat e tilla që gjithmonë i ka bërë Hashimi e Kadria dhe se secila parti e cila nuk e bllokon këtë rezultat dhe mundohet në mënyrë të fshehtë apo edhe publike të përkrah një të gjë të tillë atëherë bëhet vegël e pushtetit të tanishëm”, thotë deputetja Millaku.

Çdo propozim që është i propozuar nga PDK-ja, sipas Millakut është në dëm të Kosovës.

“Propozimet e PDK-së jo që duhet të kenë vetëm vija të kuqe por ato vija duhet të kenë vija te zeza sepse secili propozim që vjen nga ta është në dëm të Kosovës dhe për interesa të ngushta personale apo partiake spse koha dhe veprimet e tyre të deritanishme kanë treguar një gjë të tillë”, ka njoftuar më tej ajo.

Në anën tjetër zëdhënësja e partisë opozitare që sot shkoi në takimin e thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli, Natyra Kuçi nga PSD, në një prononcim të shkurtër për Gazetën Observer tha se kjo parti nuk dëshiron shumë të lëshohet në komentime të deklaratave të vazhdueshme të partive të pozitës dhe opozitës.

“Në politikë jemi te ballafaqojmë ide dhe mendime. Në këto tema nuk ka kuptim të jemi në distancë fizike, ndonëse mund të jemi në distancë mendimesh. Pushteti propozoi një rezolutë, ne si PSD prezantuam qëndrimin e PSD-së. Kuvendi është vendi dhe mënyra për ta gjetur konsensusin”,ka thënë Kuçi.

Mimoza Kusari-Lila nga partia Alternativa ka thënë se në takimin e thirrur nga i pari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kanë prezantuar qëndrimin e kësaj partie lidhur me Platformën për dialog,  duke mos dashur t’i komentojë deklaratat akuzuese të partive tjera opozitare.

“Prezantoj qëndrimin e Alternativës, qëndrim i cili u prezantua edhe në takim të thirrur nga Veseli. Konsiderojmë se është e domosdoshme ndërtimi i konsensusit dhe ulja në tavolinë nuk do të thotë se ne domosdoshmërisht pajtohemi pa filluar bisedimet brenda spektrit politik shqiptarë është e pamundur të arrihet çfarëdo në procesin e dialogut”, tha Kusari-Lila.

Ajo më tej ka treguar për rrugën e daljes nga kjo gjendje politike që është tash.

“Procesi i dialogut ka filluar që në vitin 2011, ku në fakt ka qenë shumë më herët para shpalljes së pavarësisë, por në formatin se si është prezantuar në 2011 dhe prej asaj kohe kemi tri qeveri të ndërruara dhe ne konsiderojmë se pavarësisht opozitës apo pozitës, Kosova duhet të ketë një platformë shtetërore e cila është unike dhe e dakorduar nga i gjithë spektri politik shqiptar. A e kemi këtë? Nuk e kemi dhe konsiderojmë se nëse nuk arrihet një konsensus mes partive politike shqiptare, përfshi këtu edhe Vetëvendosjen dhe LDK-në, atëherë me siguri duhet të shkohet në një zgjidhje tjetër dhe kjo zgjidhje është zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë. Në situatën të cilën gjendemi, Kosova është e bllokuar në mosmarrje të çfarëdo vendimi, si rrjedhojë e mosmarrjes së vendimit në raport me dialogun, si proces tepër i rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës”, tha Kusari- Lila. /Gazeta Observer