Ka rreth një muaj që edhe qyteti i Prishtinës është bërë me Muze të Iluzioneve.

Imazhe joreale,  përcudnim i realitetit, abstrakcione optike- të gjitha këto në funksion të krijimit të një realiteti iluziv bëjnë që “Ilusium” të jetë tejet joshës për vizitorët.

Drejtori i këtij muzeu, Lulzim Zeka, thotë se realizimi i këtyre dhomave dhe i instalacioneve nuk ka rezultuar të jetë edhe aq i lehtë.  Ideja për ta paraqitur një realitet të kthyer në një formë tjetër, duke u parë edhe nga një perspektivë tjetër, ishte sfidues, sipas tij, por pas një pune intenzive shihet që finalizimi ka dalë i suksesshëm .

I mbushur me pasqyra që të ngatërrojnë, mekanizma gjeometrikë që fusin mendjen në kurth me ngjyra dhe drita haluçinante, çdo iluzion optik sfidon trurin për të rivlerësuar atë që sytë shohin.

Dhe në këtë muze gjenden 36 të tilla.

Zeka vlerëson se secili iluzion bart me vete mesazhin e vet, që të shikohet, të fotografohet, të incizohet, nga një perspektivë e veçantë. Koncepti është që të fotografohen nëpër dhoma dhe eksponate të ndryshme duke bërë kështu që fotografitë të dalin bukur kur arrihet të kapen nga kënde të ndryshme.

Edhe pse ende ka vetëm një muaj që është hapur, muzeu tashmë ka vizitorët e vet.

“Muzeu i iluzioneve” është i hapur çdo ditë nga ora dhjetë e mëngjesit deri në orën nëntë të mbrëmjes. Hyrja është me pagesë dhe çmimet janë të ndara me kategori, për fëmijë dhe për studentë nga 3 euro, për të rritur- 4.5 euro dhe për familjarë 12 euro.

Për më shumë ndiqeni videon në vazhdim: