Duke perifrazuar titullin e librit të njohur të Ismail Kadaresë “Përballë pasqyrës së një gruaje”, mund të thuhet pa frikë, se pika e parë e axhendës së perëndimit në Shqipëri, është vendosja e klasës sonë politike, përballë pasqyrës së drejtësisë së re. Këtu fillojnë dhe mbarojnë të gjitha akrobacirat prapa të cilave, pjesa e korruptuar dhe e kriminalizuar e elitës së Tiranës, përpiqet të fshehë këtë realitet kaq të thjeshtë dhe të qartë tashmë për të gjithë.

Alfred Peza

Si për të vërtetuar se shprehja e Samuel Johnson “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”, ka një përpjekje deri në kufijtë e absurdit, për ta veshur çdo lëvizje kundër projektit të perëndimit për shqiptarët në Ballkan, me petkun nacionalist. Sebepi këtë radhë është gati. Mjafton që të shitet sa më mirë nën këtë optikë, dialogu mes Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiç, për gjetjen e një zgjidhje në të mirë të të ardhmes së të dyja vendeve. Dialog ky që po zhvillohet me garancinë e aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, pa të cilët sot nuk do të kishim 20 vjet Kosovë të lirë. E ku fjalën e fundit për këtë, do ta thonë Parlamenti dhe populli i Kosovës.

Për shkak të luftës së egër dhe protagonizmit politik në Kosovë dhe nevojës së opozitës në Tiranë për një armik të brendshëm, kemi sot qartazi dy pole politike, në të dyja shtetet shqiptare në Ballkan. Pothuajse e gjithë opozita e Kosovës (ku flamurin e mban lideri real i Lëvizjes “Vetëvendosja” Albin Kurti), është sot brenda një poli me liderët e opozitës së Shqipërisë.

Ndërsa pas shumë kohësh, Edi Rama vetëm tre ditë pasi u telefonua nga Shtëpia e Bardhë prej Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA John Bolton, uli në një tryezë në shtëpinë e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, polin tjetër. Një pol ky që përbëhet nga aktorët e faktorët kryesorë të qeverisjes dhe pushtetit në Prishtinë dhe Tiranë. Ndryshimi i vetëm mes këtyre dy poleve, është se Presidenti i Shqipërisë, në ndryshim nga ai i Kosovës, po ngre lart e më lart flamurin e opozitës, duke u pozicionuar hapur kundër polit tjetër.

Pas kësaj, është më e qartë të kuptosh se përse Albin Kurti i ekstremit të majtë, vjen nga Kosova në Tiranë për tu bërë bashkë me opozitën e djathtë, kundër Paktit të Qeverisë Rama për Universitetin, që u jep zgjidhje 8 kërkesave të drejta të studentëve të vërtetë në Shqipëri. Pas kësaj, është më e qartë të kuptosh se përse edhe kur nuk e firmos dekretin për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshi, edhe kur nuk e firmos ministrin e Jashtëm Gent Caka, edhe kur nuk e shkarkon ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, edhe kur kthen të gjitha dekretet që shkojnë nga qeveria e Parlamenti në Presidencë, përkrahësit e Ilir Metës dhe përfaqësuesit e opozitës në Shqipëri, i lidhin të gjitha këto veprime me përpjekjet e tyre si të ishim në vitin e mbrapshtë 1913, për të shpëtuar trojet shqiptare nga “copëzimi prej serbëve dhe prej rusëve”.

Numri 1 i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca me pak fjalë na tregoi “Kodin” për të zbërthyer çdo piruetë të liderëve politikë të Shqipërisë, që kanë kohë që po kërkojnë strehë tek nacionalizmi. Ai tha se “reforma në drejtësi është një çështje e ndërlikuar dhe komplekse. Është si puna e karburantit, që është dashur pak kohë sa të shkojë tek motori. Por tani që motori do të ndizet, do ti kemi të gjitha; SPAK, BKH e natyrisht edhe Gjykatën Kushtetuese. Në po ndjekim strategjinë 2019-2023.”

Kjo do të thotë se këtë vit, fillon nga puna makina e re e sistemit të drejtësisë shqiptare, të cilën e drejtojnë SHBA dhe BE. E bashkë me të, nis edhe “vettingu” i klasës politike shqiptare dhe i drejtuesve të të gjitha pushteteve, përfshirë këtu edhe hapjen e të gjitha dosjeve të krimeve më të rënda dhe korrupsionit të këtyre 30 viteve të fundit. Një proces “pastrimi” që do të zgjasi përgjatë katër viteve në vijim. Për ta përgatitur më pas Shqipërinë dhe shqiptarët, nga 2023 në 2025, për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ky projekt që është “firmosur” në Uashington dhe Bruksel, do të zbatohet duan apo nuk duan protagonistët aktualë të politikës shqiptare. Kthim pas, nuk ka.

Përsa i përket historive me tradhëti kombëtare e më tradhëtarë, këto janë përalla të vjetra në këtë rajon. Asgjë nuk duket se ka ndryshuar, as pas një shekulli në këtë vend, nga atëherë kur Imzot Noli shkruante se “këtu brenda një dite, si me magji, tradhëtari bëhet patriot dhe patrioti tradhëtar. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë luftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë… këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen, do të proklamohet patriot i madh”.