Punëtorët e “Infrakosit” sot kanë mbajtur një protestë njëorëshe prej orës 08:00 deri në 09:00, pasi që ka vonesa në marrjen e pagave të muajit shtator dhe tetor.

Krahas pagave të këtyre dy muajve, punëtorët e kësaj kompanie hekurudhore kanë kërkuar edhe shlyerjen e borxhit të trustit pensional.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të “Infrakos”-it, Hysen Nikçi, tha se sot përmes kësaj proteste njëorëshe po e shprehin revoltën karshi menaxhmetit, i cili nuk po i plotëson kërkesat minimale të këtyre punëtorëve.

Përpos pagës dhe trustit, ai tha se kërkohet edhe që punëtorët e shërbimit ekzekutiv të pajisen me uniforma dhe rroba mbrojtëse si edhe të bëhet pagesa e borxheve të anëtarësisë së sindikatës për muajt e kaluar të vitit 2019.

“Sot jemi tubuar për ta shprehur revoltën thellë për trajtimin tonë që po na e bënë ‘Infrakos’ sepse ka dy muaj e më shumë që punëtorët nuk i kanë marrë pagat pjesën dërrmuese të muajit shtator dhe komplet pagën e muajit tetor. […] Ne si sindikatë nëpërmjet dialogut me menaxhmetin kohë pas kohe kemi diskutuar për të realizuar kërkesat tona që kanë qenë shumë minimale”, tha Nikçi.

Nikqi tha se situata po vështirësohet pasi për gjendjen e krijuar askush nuk po merr përgjegjësi dhe se kërkesat e tyre ndër vite kanë hasur në vesh të shurdhër.

Nikçi shtoi se për kërkesat e punëtorëve menaxhmeti është i njoftuar tashmë 2 javë dhe se nëse nuk ndërmarrin asnjë veprim do të vazhdojnë m njëe grevë të përgjithshme.

“Fatkeqësisht nuk është realizuar asnjë prandaj për këtë janë mbledhur e gjitha masa e punëtorëve këtu. Si arsyetim e japin se nuk ka pare, mjete ndërsa luksi i menaxhmetit nuk ndalet kurrë me dreka, darka, makina. […] Sot është paralizuar qarkullimi i trenave në gjithë territorin e Kosovës. E njëjta do të ndodh edhe të hënën dhe do të na dërgojnë deri në grevën absolute të gjithë punëtorëve”, tha kryesindikalisti.

Fadil Orllati, mbikëqyrës i binarëve në “Infrakos” tha se që tre muaj gati janë pa paga dhe mezi po ia dalin t’i kryejnë obligimet edhe ndaj bankave.

“Ne po ia dalim me vështirësi thuajse buzë vdekjes dhe pa ngrinë e pa pirë ky i treti muaj pa paga jemi unë personalisht punoj që 38 vite këtu 182 euro kredi i kam… Thirrja e fundit dje më ka ardhur që nëse nuk e paguajë kreditin kemi me shku me procedura të tjera… kurrfarë kushte elementare momentalisht nuk kemi në punë”, tha ky punëtor.

Edhe Shaip Nuredini ka kritika ndaj menaxhmetit të “Infrakosit”. Sipas tij menaxhmenti nuk po jep asnjë arsyetim për këto vonesa të pagave të tyre.

Nuredini ka ankesa edhe për kushtet e punës.

“Kjo lënie anash nga menaxhmenti është katastrofa e zotit, marre që 39 vite punoj në hekurudhë sot me dal të kërkoj rrugëve për kafshatë të gojës është marre…as nuk del me e bë një arsyetim më të voglin për çka unë i kam edhe pesë muaj që shkoj në pension unë e përfundova por çka me iu bë tjerëve. Kjo është katastrofë, plus kushte ujë me pi nuk kemi”, u shpreh ky punëtor.

Punëtorët e “Infrakosit” do të protestojnë edhe të hënën nga ora 8:00 deri në orën 10:00, për të vazhduar edhe të martën nga ora 8:00 deri në orën 12:00.

Kujtojmë se punëtorët e “Infrakos”-it kanë protestuar edhe në pranverën e këtij viti për shkak të vonesës së pagave të tyre.