Partia Socialdemokrate, ka paralajmëruar nisjen e iniciativës së formimit të një komisioni parlamentar për të hetuar punësimet në ndërmarrjet publike, agjenci shtetërore dhe në Qeveri.

Kështu ka thënë deputeti Dardan Molliqaj në një konferencë për media, duke thënë se ka hapësirë të mjaftueshme që kjo të bëhet për shkak të punësimeve që kanë ndodhur.

“Ky është fenomen që nuk nis tani dhe i ka përcjellë të gjitha qeveritë pas luftës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë që kanë rrënuar të drejtën e secilit qytetar që të ketë punë në bazë të drejtës dhe meritës”, ka thënë Molliqaj.

“Duhet një herë e mirë që të ketë një listë që qartë të atyre që janë punësuar dhe të shohim si janë punësuar. Do të krijohet një bazë e mirë për një padi”.

Ai ka thënë se kjo do t’i hapte rrugë Prokurorisë që të hetojë nëse ka pasë shkelje gjatë punësimeve nëpër institucione, për të cilët kanë thënë se ka që janë aty vetëm për shkak të lidhjeve familjare me njerëzit e pushtetit.

Molliqaj ka thënë se në nismën e tyre presin që të marrin mbështetje edhe nga partitë tjera parlamentare.