Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Agron Tufa.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Nuk ekziston ndonjë realitet i tillë, i qëndrueshëm. Janë gjëra efemere. Lumturia për mua është tokësore. P.sh., të jetoj me ata që i dua, me familjen time, mundësisht jo në ambient urban, por as larg qytetit, në një shtëpi të bollshme në gjirin e natyrës, që ka detyrimisht një studio ku të mbyllem të shkruaj përditë nga pak, i rrethuar me libra, muzikë, albume dhe në mbrëmje të shëtis me fëmijët, ose të shoh herë pas herë ndonjë ndeshje të rëndësishme futbollit, film artistik e kësi gjërash.

Cila është frika më e madhe?
Humbja e njerëzve të familjes. Humbja e nderit dhe dinjitetit personal.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Tim atë, ndjesë pastë. Përvojën e tij, ndërshmërinë, ndjenjën e vetësakrificës së tij, burrërinë etj, me pak fjalë – karakterin e tij.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Nuk i dua përsëritjet. As identifikimet. Zoti çdo krijesë e ka unikale, të papërsëritshme në univers.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Gjaknxehtësia.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Paragjykimi gratis për tjetrin, mungesa e dëshirës për të njohur të vërtetën, përtacia intelektuale, papërgjegjshmëria, shpifja, intriga, servilizmi.

Në cilat gjëra e teproni?
Me duhanin.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Vetëm kur e vërteta do të sillte turbullira dhe pasoja. Por mund të gënjej dhe thjesht, për qejf, nisur nga ndjenja e pamjaftueshmërisë së realitetit, duke dashur ta zbukuroj atë për vete e për të tjerë…

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Në rrafshin konkret, gjithmonë, kthimet. Në rrafshin figurativ – udhëtimet në kujtesë dhe “sikuret”.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“Interesante… interesante…”, që do të thotë, se pikërisht atëherë nuk ka asgjë interesante.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Koha e humbur… Humbja e kohës me ata që s’mbushin. Hedhja e fjalës dëm me ata që nuk ndjejnë, nuk kuptojnë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja. Ime shoqe. Familja nga kam dalë dhe ajo që kam krijuar.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Nxitimi për ta mbaruar këtë intervistë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Të lija duhanin.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Së pari, formimin tim intelektual, me aq sa munda, i cili u duk në fillim, se qe kërcënuar rëndë nga komunizmi, deri në moshën 23 vjeçare, kur komunizmi, së paku formalisht, ngordhi; së dyti, veprën time letrare; dhe së treti (që duhet të ishte e para), krijimin e familjes me 5 fëmijë, po aq sa ç’kishte im atë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do të nësoja nja dy gjuhë të vdekura dhe ndoshta po aq të gjalla. Do të udhëtoja për një farë kohe në dy-tri vende (kontinente) dhe kohën do ta vlerësoja në të mirë të pasionit tim kryesor: krijimtarisë letrare. Dhe thjesht, për disa marrëzira e budallëqe, nga ato që nuk i kam bërë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Do të doja të isha ky që jam. Kështu që më mirë mund të kalohej kjo hipotezë pa rimishërime e pa rilindje, duke më lënë kështu siç jam.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Nëse është fjala për gjëra abstrakte, më e shtrenjtë është Mendja. Nëse është fjala për sendet, gjëja më e shtrenjtë që kam janë librat.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Njeriu i atrofizuar nga frika dhe shantazhi.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Shqipëri ose Kosovë. Por jo në qytet, jo në apartament. Përndryshe, në të gjitha vendet ku bun shpesh imagjinata.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Mendja e kthjellët, zemra e dhembshur dhe ndoshta, kuraja për të dhënë shembullin, kur të tjerët kanë frikë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Natyrshmëria, brishtësia, altruizmi dhe mendja e bukur.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Josif Brodskij (1940-1995). Poet e eseist i jashtëzakonshëm. Njeri i pakompromis. I burgosur e i përndjekur, i përzënë nga atdheu i vet, e megjithatë, triumfues mbi të gjitha vështirësitë. Fitues i çmimit Nobel (1987).

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ka plot. Të gjithë ata miq e të njohur që përballojnë vështirësitë e fatkeqësitë, duke ruajtur të pacënuar dinjitetin njerëzor dhe fisnikërinë e shpirtit.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të isha dhe ndërtues si im atë. Përndryshe, durimin dhe mendjen e paturbulluar.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Mes njerëzve të familjes. I rrethuar nga dashuria e mirënjohja. Me mendje të esëllt.

Cila është motoja juaj?
Mos me ta mundë inati durimin./Gazeta Observer