© Osman Demiri

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet forografja dhe shkrimtarja Rozafa Shpuza.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Nuk ekziston lumturia e përkryer. Asgjë në këtë botë nuk është e përkryer. Njeriu është i lumtur veç kur është i dashuruar, pra në periudhën kur nuk vendos truri, por zemra. Ndodh një reaksion kimik në trupin e njeriut që, fatkeqësisht, zgjat pak. Krejt ajo që vjen pas është mirazhi i asaj lumturie të fashitur, që secili e ndjek pafundësisht, duke kaluar hendeqe e sfida, duke kërkuar dashuri të reja, duke u munduar të rindërtojë një model, që tashmë ka mbetur veç në kujtesë.

Cila është frika juaj më e madhe?
Besoj se frika më e madhe për mua është të mbes vetëm, të mos kem me kë të flas, me kë të qeshi, me kë të pi, me kë të vallëzoj, me kë të bëj dashuri.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Mundem me thanë pa droje se unë admiroj këdo që bën një bamirësi, që krijon një vepër të bukur arti apo shkruan një libër me vlerë.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Kurrë nuk kam dashur të identifikohem me dikë tjetër.

Në cilat gjëra e teproni?
Në rrugëtime, në pije, në shpërqendrim.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Kur gënjeshtra do të shmangte një sherr apo do të shërbente për të zbutur gjakrat.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rrugëtimi drejt detit.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Tung! T’u ngjatë jeta është përshëndetja më e bukur që kemi, e cila njëherësh shmang edhe përdorimet e fjalëve të huaja.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Më vjen keq që s’kam mundur të jetoj e lirë në kohën e komunizmit dhe jam penduar për autocensurën.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Çastet kur qeshi me lot. E dua shumë këtë hare në shpirt.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Pak e çmendur, por pa pasoja negative! Nuk mund të krijoj, nëse jam njeri normal.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Uff, sa do të pendohesha sikur të ndryshoja diçka, se do të prishej e gjithë ekzistenca ime, me të mirat e të metat e saj.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Arritja ime më e madhe është fakti se kam shumë miq rreth vetes.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do të bëja që prindërit e mi të jetonin më gjatë.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Në jetën e përtejme kam dëshirë të jem sirenë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Një djalë që i ka sytë si të mitë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Çastin kur s’ke çfarë të kujtosh.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Diku ku ka edhe det, edhe borë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Burrninë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Zgjuarsinë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Isabel Allende.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Prindërit e mi.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Më pëlqen shumë të notoj. Mund të bëhesha një notare e mrekullueshme.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Do të doja të isha e pirë, që të mos kujtoja asgjë të hidhur dhe të merrja me vete veç kujtimet e bukura.

Cila është motoja juaj?
Prish mure e ndërto ura!/Gazeta Observer