Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Sabit Rrustemi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Mjafton ta kërkosh dhe bësh një jetë solide, sepse lumturia e përkryer është sall ëndërr.

Cila është frika juaj më e madhe?
… se mund të shkoj nga kjo jetë pa e përmbushur misionin tim krijues.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nanën time, e cila i lindi dhe i rriti 10 fëmijë, nuk i la për asnjë çast vetëm, i shkolloi dhe i martoi që të gjithë. Madje, përmes martesave të fëmijëve të vet, e integroi më së miri etninë shqiptare.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Pa dyshim, Presidenti historik i Kosovës, dr.Ibrahim Rugova,  për angazhimin e tij krijues e intelektual,  për angazhimin e tij atdhetar në krijimin dhe realizimin e vizionit për liri, pavarësi e  demokraci si dhe afirmimin e Kosovës dhe përgjithësisht të qenësisë shqiptare, kudo në botë.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Ndjeshmëria e tepruar dhe sinqeriteti.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Dyftyrësinë dhe gënjeshtrën …

Në cilat gjëra e teproni?
Në besimin e madh ndaj atyre që i dua.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Kurdo që gënjeshtra ime do të shkonte në të mirë të vendit tim.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Mund të mos e besoni, por, rrugëtimi më i preferuar është shtigjeve të Çepurit, një hapësirë malore prej 100 hektarësh tokë që shtrihet nga shtëpia ime ku banoj e, deri te shtëpia ime e lindjes, e cila tashmë është rrënuar gati tërësisht.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Kur isha fëmijë po edhe në moshën e e hershme rinore, fraza më e përdorur ka qenë, “për krye t’Nanës”, ndërsa tash, “për Zotin …”

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
… kur i kam ndihmuar dikujt që më pas jam bindur se nuk e ka merituar !

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Atdheun nuk po e përfshijë brenda kësaj përgjigjeje, sepse gjithçka para tij është minore. E, pastaj vjen Poezia … sepse saherë dua ta lë, ajo më ngjitet edhe më shumë për shpirti .

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Në kufijtë e normales ….

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Do të isha pak më i kursyer ndaj njerëzve, veçanërisht ndaj atyre që i dua dhe i kam miq, që t’mos iu “shplohem” thuaja qind për qind, por t’jem me ta më i përmbajtur .

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Rrumbullakësimin e një projekti poetik, të titulluar BIBLA IME JE TI, ku brenda shtatë librave janë përmbledhur 666 poezi dashurie, të shkruara në një periudhe kohore 2009 – 2016, anise  ende nuk janë botuar, përkundër faktit se dorëshkrimi është i redaktuar dhe i vlerësuar tepër kënaqshëm nga redaktori i këtij projekti letrar, prof dr. Anton Nikë Berisha.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
… megjithatë, koha nuk kthehet. Ajo përkundër “kërcënimit” poetik të Azem Shkrelit, “koha jonë s’guxon t’kohosh pa ne”, kohon sipas një rendi të cilin Ne – njerëzit, asnjëherë s’e shkruam.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Të mbetem prapë ky që jam, pa disa teke të vogla që i kam.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Pa pikë dyshimi: DASHURIA.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Paditurinë dhe injorancën.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Majën e Çepurit, po të kisha kushte, mundësi dhe, edhe  jetë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Guximin për ta thënë dhe mbrojtur të vërtetën .

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Ngulmimin për ta realizuar ëndrrën e jetës.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Borhesi …nga të huajt, Beqir Musliu, nga tanët.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata dhe ato që për çdo ditë angazhohen për mirëqenien e këtij vendi, njëjtë si thneglat.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Përveç shkrimit, i adhuroj shumë vallet, sidomos ato burimore. Do doja t’i luaja ashtu siç e meritojnë, Vallet e Karadakut .

Si do të dëshironit të vdisnit?
… në një natë të kthjellët vere, nën dritën e hënës, duke më përkëdhelur Dora e Saj !

Cila është motoja juaj?
“Hyn andej kah s’dilet, e dil aty ku s’hyhet” !/Gazeta Observer