Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet publicisti Fatlum Sadiku.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Tani mbas këtyre viteve skaji i një vetmie të shenjtë.  Një qytet zvetënues i mbytur në gri rrugët e të cilit çojnë kah pansionet e lira (bën edhe bordele!), zgjuar nën riga shiu nga nëpunësi i lodhur i tramvaji. Rrugë që të dyndin të molepsur në sokaqet e pansioneve dhe ku pas një dite vetëgënjimi, përshëndetesh nga ndonjë i panjohur teksa kërkon ta ndezë cigaren e tij në tënden.  Më parë ishte më ndryshe. Nënkuptohej kumti i pasmë i ndonjë pritjeje të gjatë. Vrapi në prehër të babit dhe vikatja “shembullore babi”, teksa po i komunikoja suksesin pas 3 gjysmëvjetorëve  të humbur në veri të Mitrovicës. Pastaj…kapja dorë për dore me kusherinjtë e mi dhe lëshuarja në teposhzën e lames në fshatin e babit, kur ishim fëmijë. Gjëra palidhje apo jo? Epo ja që kanë lidhje me që lumturia është gjëja më e çuditshme.

Cila është frika juaj më e madhe?
Uji, rryma, dhe Gjermania jo po, siç thoshte Paskali hapësirat e pafundme. Ngapak edhe lartësia e tepruar.  Si dhe mëkati. Dy të parat goxha shqiptarçe por po. Ujin mbase për faktin se asnjëherë nuk jam mësuar të notoj si duhet. Rryma ngaqë më ka përplasur njëherë motori i antenës satelitore tek po e “mjeshtroja”. Hapësirat e pafundme, ngaqë gjithmonë mund të ta përditësojnë vogëlsinë dhe të papriturën. Lartësia ngaqë më sjell ngapak marramendje. Kurse nga mëkati pikërisht pse ndjej dhe di se jam i fundmë. Dolën pesë copa e hajt!

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Bilginin. Shokun tim nga Stambolli. Urtia e tij justifikon jo vetëm titullin, por edhe komplet rrëfenjën e “Eeternity and a day” të Angelopoulos-it. Është në të njëjtën kohë vetë përunjësia e poetit plak, por krahas me këtë edhe flakja në jetë e çibritxhiut fëmijë. Për kohën sa je me të, ti heton se ai është inkarnim i tandemit në fjalë. Në të mund t’i takosh të dytë. Mua më niste rrugëtimi nga ky i dyti për ta prekur të parin.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Vështirë të zgjedh. Jam në mes të  Darit të Persisë dhe Amonhotebit IV të Egjiptit. Të parin për shkallën e tolerances dhe civilizimit, të dytin për përpjekjen e vendosur deri në pësim t’i jap fund idiotllëqeve politeiste.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Humbja e kohës. Humbas kohë. Me qëllim e paqëllim. Vërtitem, sorrollatem, shtyej vendime. Deri këtu Niçe është ok me mua dhe unë me të: “njeriu është orvatje”. Por, me të kaluar tek Valery “vetëm kush ka kohë të humb prek përjetësinë” ndjej se jam kthyer në pulë pa krye, se jam futur në atë kinesisin kierkegaardian, as rehati as amshim. Për ta përmbyllur me atë  që Weil do të thoshte as zbraztësi e kërkuar, por as e lëshuar duarsh. E që s’është edhe që s’më ka kushtuar!

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Padyshim shfrytëzimin, servilitetin, oportunizmin. E para meqë shpërfaq mujshinë e krijesës njeri për të bërë keq. Njeriu shfrytëzues s’bën dëm, por bën keq. Dëm bën kafsha, jo njeriu. E dy të tjerat pikërisht pse njeriun në rastin më të mirë e ngrisin në kafshë. Qen si servil e dhelpër si oportunist. Qëllimisht këtu nuk futa hipokrizinë. Kjo meqë atë e shoh si më të riparueshme.

Në cilat gjëra e teproni?
Në lexim dhe internet. Janë edhe destini edhe kobi im. Kredhja në libra ka qenë edhe rezultat disciplinimi e frike (familja, shkolla), por edhe e një çdisciplinimi introvert – pikërisht nga tutoria e këtyre dy institucioneve. Përpjekje e kotë për liri më të madhe nga të dyjat. Në klasën e tretë fillore jam nxjerë nga kori pse s’kam pasur këmishë të bardhë (nuk pretendoj që kam ‘farë zëri’). Ka të ngjarë që aty më është vrarë melodioziteti në favor të libreskës, tesktuales…kurse interneti mendoj se është kobi i gjithësecilit nga ne që rrethuar nga varfanjakë mendorë e idiotë, kërkojmë azil shpirtëror e shkarkim.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
E pranoj: avokatia vetes. Vetëmbrojtja. Mbase si më intrinsike me vetë rrenën haha. Nuk do të gënjeja për t’i mbrojtur të tjerët meqë duhet shumë mbamendje mandej, lol.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
2014-ta. Rrugëtimi pas 14 vitesh në oborrin e ndërtesës ku kam lindur e jam rritur në veri të Mitrovicës. E kujtoj si prej ndjenjave më të trishta në jeten time. “Çufrat” që rrethonin kopshtet para-ballkonike të ndërtesave tani po më binin vetëm deri në bel. E një copë fëmijërie e pata lënë duke më mbuluar të tërin kur luanim fshehtas. E di, doli si përgjigje në pyetjen “rrugëtimi juaj i paharruar”, por s’kam se si të mos përgjigjem njëjtë kur do të doja ta përsërisja.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Është goxha provinciale e zejtare. “Ku je ustah?” Ndoshta pse ky vend të bindë që s’mund t’i bëhesh as ustai as çiraku, e ndoshta edhe si lutje që kjo më në fund të ndodhë nga dikush i denjë.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
E kam thyer keqaz – pa qëllim – një njeri këtu e dy vite më pare, dhe e di se nuk më falë përjetë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Vetmia. Si shenjimi më sublim, më kulminant, më i arrirë i lirisë. Në vetmi e askund tjetër, ekzistoj. Në tjera hera, raste e shfaqje, ndjej se gjakoj veçse prani jo ekzistencë. Në vetmi jam më i sinqerti. Në vetmi jam më intimi, përfshi lidhjen me Zotin. Në të mish, gjak, trup e shpirt i ndjej të mijat, njëkohësisht si qenia më fetare e tokës, po edhe si qenia më nihile, më e poshtër në tokë. I vetëm dhe jo ndryshe ndjej edhe kafshëroren edhe lartësimin. Është skuta e vetme ku nuk ndjej asnjë prangë, asnjë instancë t’më kërkoj interpelim. Vetmia është bekimi më i madh në një jete rrethuar nga tjetri si ferri vetë, Nga tjetri dhe dhuna e tij që të ndjek si kapistra lopën. Vetmia nuk është braktisje dhe të kuptuarit asisoji përbën huqje të madhe.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Po kaloj nëpër kohëbrengë për shëndetin e nënës që përpak sa s’na la ndër të tjera edhe shkaku i indolencës së shëndetësisë së këtij vendi. Më dhimbset se n’ç’kohë mizerable po e kalon pleqërine, e lërë më vetja/gjenerata ime.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Pak më shumë moskokëçarje. Kur shpirti pushtohet nga brengat ateherë edhe imtësirat ia behin me rëndësinë e tyre. Pason ajo gjendja ku nuk e di se çdo të bësh më parë dhe çan kokën për gjithçka. Më shumë se kaq, mundohesh të dish për çka të çash kokën më parë. E kjo kushton. Edhe privatisht edhe në relacione njerëzore.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Durimin. Kam duruar edhe kur e ardhmja më është dukur tejet indiferente dhe e zymtë. Në stad shpirtëror e miqësor më është shpaguar nganjëherë, kurse në stad politik asnjëherë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Rrethanat familjare, vendbanimin, shumëkënd nga rrethi dhe natyrisht pushtetin idiot, kriminal, e feudal të vendit.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Si person ky që jam. Mbase edhe si i sakrifikuar. Por, jo sikur në ato “sakrificat” e teneqenjta të shqiptarit që i kishte vërejtur me kohë dhe me të drejtë Konica. Të vdesësh provincialisht do të thotë të mos kesh bërë jetë por të jesh hiqësuar në shterrpësinë e saj. Jeta e shqiptarit vazhdon të jetë krejt e lirë. Nuk kalon javë pa një dyshfiror të të vdekurve në komunikacion. Në njëfarë forme pajtimi i gjaqeve në të ’90-tat (heeeej deri në të ’90-tat!), për mua flet shumë. Flet se sa i pavlerë është njeriu tek ne. Rëndesa mund të jetë vërtetë gjë e ultë, por duhet munduar që mu në rëndëse të gjej hapësirë hiri. Qoftë edhe ai njerëzor. Ndërkaq po të ngjallesha si send, do të doja të isha tren. Mbase për anën ikanike, të vjetër e melankolike që përban.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Librat. Jam ai i shtriri në “Color of Pomergranates” të Parajanovit, rrethuar nga librat. Jo si kompilime, por si zëra e vargje të shartuara në mua e i shartuar në to.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Prapë, oprtunizmin. Oportunizmi çnjerëzon. Se gjen dot njeriun tek oportunisti, vetëm leckën. Dikujt i duhet ta bëjë këtë zori, e vërtetë. Por, më të denjë do e konsideroja lypsiranë publik se sa argatllëkun meskin sot për nesër.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Stamboll apo në vendet postkomuniste të Evropës Qëndrore. Në të parin për gjithë çfarë më ka ofruar. Që nga hapja e horizonteve deri tek vetmia e shenjtë. Në vendet postkomuniste të Evropës Qendrore sepse mendoj sepse vetëm në njërin nga ato vende vuajtja shpaguese do të më kthehej si vuajtje shëlbyese pikërisht duke u shtuar.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Gatishmërinë për të mbrojtur dhe përunjësinë. Burri mbron (këtu le të thotë çfarë të dojë feminizmi!) anipse di të jetë edhe krijesa më e flliqur në tokë. Për më tepër fokusohuni tek roli i të thirrurit në ushtri në filmin “Landscapes in the Mist” të Theo Angelopoulos.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Lirinë. Pa të njeriu, e gjithsesi gruaja s’është fare. E me shumëçka gruaja shqiptare vazhdon të trajtojet si në Mesjetë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Miguel De Unamuno dhe Anton Çehov. I pari pse me një libër të vetëm zgjoi në mua këngën e pashprehur të shpjegimit të jetës. Me Unamunon përmbysa tiraninë e racios me ujëvarën e jetës. I dyti për dromcat e papërmbushjes jetësore që të ofron në pak faqe proze. Çehovi është edhe satiri i kërkuar i Niçes tek “Ecco Hommo”, por edhe më fetari i mbylljes së tregimeve që për mua tejkalon edhe Dostojevskin. Kjo meqë kur Çehovi pëmbyll diçka nuk është domosdo ngjarje si tek Dostojevski. Është heshtje. Një ndalesë përkujtuese, gati-gati funebre për tragjiko-komiken e njeriut. Mendoj se Cornell West duhet ta ketë vërejtur pikërisht këtë gjë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Prindërit e mi. Baba për durimin dhe shpresën, nëna për anën melankolike që e ka zhbiruar edhe në mua.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Notin. Nuk kam arritur asnjëherë ta zotëroj.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Dinjitetshëm dhe modestisht. Jo pse dua të krahasohem me të, por kur Tolstoji ka një varr të mbuluar me dushkë, kush dreqi jam unë?

Cila është motoja juaj?
Qenia s’është pasje. Dëshira s’është mundësi. E reja s’ka si të jetë apriori/domosdo e mirë./Gazeta Observer