Pyetësorit të Prustit i përgjigjet Ndrek Gjini, gazetar dhe shkrimtar shqiptar që jeton në Galway, Irlandë, autor i disa librave dhe redaktor online i revistës letrare ‘Galway Review”.

Cila është ideja juaj e lumturisë së përkryer?
Fjala ‘e përkryer” është në vetvete gjithnjë relative, kështu edhe lumturia. Të dyja janë nocione virtuale. Askush s’mund t’i arrijë e as t’i prekë. Nëse mundemi, kjo ndodh në ëndrrat tona apo mbase kur të vdesim.

Me cilën figurë historike identifikoheni më së shumti?
Me Peter Kropotkin për esetë e tij polemizuese ndaj Darvinit dhe me Sokratin për idetë e tij filozofike, veçanërisht për thënien e tij “mençuria e vetme është kur e kupton se di një gjë që s’di asgjë ”.

Cilin person të gjallë admironi më shumë?
Çdo person që përpiqet ta ngrejë në një nivel më të lartë njerëzimin.

Cila është tipari juaj që nuk do të donit ta kishit?
Të qenit shumë i fiksuar. Të marrurit çdo gjë me zemër.

Cila është ekstravaganca juaj më e madhe?
Të udhëtuarit pa fund drejt vendeve ekzotike.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Të vizitoj Dubrovnikun, kështjellën Ashford, dhe Bibliotekën e Vatikanit.

Në çfarë rasti do të gënjenit?
Një gënjeshtër është një mjet, si të gjithë mjetet e tjera. Nuk e di kush, kur dhe pse është shpikur. Megjithatë nuk jam aspak i mirë në të përdorurit e saj dhe kur e bëj nganjëherë, ndjehem i penduar më pas.

Cilin person të gjallë e përçmoni më shumë?
Mark Zukenberg për krijimin e nevojtores më të madhe dhe më të ndyrë në botë të quajtur Facebook.

Çfarë apo kush është dashuria më e madhe në jetën tuaj?
Familja ime. Ata zënë mendimet e mia dhe çdo sekondë të jetës time.

Kur dhe ku keni qenë më i lumtur?
Ishte korrik 1992. Një mëngjes herët, duke vështruar në sy djalin tim të sapolindur. Dhe pas kësaj, i pirë, më shumë nga lumturia sesa nga rakia.

Cilin talent do të donit ta kishit më së shumti?
Të jem i aftë të shkruaj si Jorge Luis Borges.

Cila është gjendja juaj aktuale mendore?
I shqetësuar për të ardhmen që unë dhe familja ime do të trashëgojmë.

Çfarë konsideroni arritjen tuaj më të madhe?
Masterin për krijimtari që mora nga Universiteti Kombëtar i Irlandës, Galway kur vetëm 10 vjet më përpara, nuk dija asnjë fjalë në anglisht. Arritja më e madhe për mua besoj se do të ndodhë në të ardhmen. Po mendoj që të bëj doktoraturën (PhD) pasi të dal në pension. Mendoj se kjo është mënyra më e mirë për ta zënë kohën me diçka gjatë atyre viteve monotone dhe të vetmuara.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë gjëje do të donit të ishit?
Zog.

Çfarë është gjëja më e çmuar që zotëroni?
Kujtesa ime. Kam një kujtesë të shkëlqyer. Kjo është thjesht një dhuratë nga Zoti.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Të shikosh i pafuqishëm dallgët e mëdha të urrejtjes dhe të vësh re sesi dashuria vritet nga ato dallgë të neveritshme.

Çfarë vlerësoni më shumë tek një mashkull?
Mungesën e zellit për të gjuajtur gabimet e vogla të të tjerëve.

Çfarë vlerësoni më shumë tek një femër?
Buzëqeshjen dhe durimin.

Cilët janë shkrimtarët tuaj të preferuar?
Kam një listë të gjatë. Përmenda vetëm një, Jorge Luis Borges. Megjithatë dua të radhis edhe të tjerë, disa prej të cilëve kanë ndryshuar jetën time si Folkner, Dikens, Dostojevski, Heminguej, Kafka, Xhojs, Nabokov, Tuen, Oruell, Ullf, Kadare dhe të tjerë.

Cila është motoja juaj?
Më tërheq shumë një thënie nga Nënë Tereza: “Njerëzit janë jorealistë, alogjikë dhe egoistë. Duaji ata sidoqoftë./ TheWeek- Në shqip Gazeta Observer