(Lidhur me romanin “Autoportret me teleskop” të Besnik Mustafajt)
Ahmet Selmani
 
a) Abstragimi i jetëshkrimit
 
Në romanin e titulluar “Autoportret me teleskop” të Besnik Mustafajt ndeshim abstragimin ose relativizimin e jetëshkrimit. Në të vërtetë, qysh në fillim autori në fjalë paralajmëron se ky nuk është një roman autobiografik, edhe pse njëri nga peronazhet quhet Besnik Mustafaj, mbase për t’ia hapur rrugën lexuesit që veprën në fjalë ta perceptojë në mënyrë krejtësisht të pavarur e të lirë. Dhe kjo do të thotë se jetëshkrimi si element real, që a priori imponohet si një qasje gnoseologjike, vetvetiu shndërohet në trillium letrar, ose të paktën konceptohet si i tillë, duke krijuar alternativën kryesore për leximin estetik të letërsisë.
Sado që nga këndvështrimi real mund ta njohim Besnik Mustafajn si shkrimtar dhe si diplomat me karrierë, kjo gjë nuk është fare e rëndësishme në rrafshin e letërsisë, për arsye se brenda saj gjithçka duhet parë si imagjinatë. Fundja, siç thoshte Ajnshtajni, imagjinata është më e rëndësishme se dija. Dhe kjo gjë aq më tepër i nevojitet lexuesit për të arritur në pikën e nevojshme për ta krijuar vizionin dhe semantikën artistike. Sipas Jausit, ky është horizonti i pritjes, ose estetika e receptimit. Pra leximi vetvetiu ndërton një kontekst hegjemonik duke i mundësuar lexuesit të mbizotërojë me tërë qenien e vet intuitive, ose të futet në një aventurë semiologjike, siç e quante Rolan Barti. Dhe kështu vërtetohet edhe konstatimi i tij se uniteti i veprës nuk qëndron te zanafilla e saj, por te destinacioni i saj, që në këtë rast i prin lexuesi me anë të tekstit letrar që i ofrohet.
 
b) Rrëfimi duplex
 
Ajo që na bie në sy gjatë leximit të veprës “Autoportret me teleskop” të Besnik Mustafajt është fakti se ballafaqohemi me një rrëfim duplex, nëse mund ta quajmë kështu, për arsye se zhvillohet në dy rrafshe dhe në dy hapësira, por që gjithnjë si çështje mbetet Shqipëria. E gjithë kjo mandej zhvillohet në perspektivë dhe në retrospektivë, pra Shqipëria e sotme dhe Shqipëria e dikurshme, antagonizmi i theksuar brenda qenies së saj, transformimi dhe ngurtësia, përplasja në kohë dhe hapësirë etj. Rrafshi i rrëfimit nëpërmjet gojës së një diplomati dhe shkrimtari njëkohësisht, është optik, përshkrues, telegrafik. Të gjitha përjetimet dhe shënimet që i sjell ai në mjediset e jashtme dhe të brendshme, janë të dhëna autentike, evidentuese, sintetizuese. Dhe në këtë mënyrë arrin ta krijojë psikografinë dhe patriografinë e personazheve në kontekst të kohës dhe hapësirës ku veprojnë. Por gjithmonë përballë tyre shfaqen edhe personazhe të tjerë të cilët janë bartës të së kaluarës, të mendësisë komuniste, të cilët krijojnë mozaikun e kohës gjegjëse. Personazhet siç janë Selami Beshiri, Gjergj Shkodra, Bilal Barzezi etj., janë qenie të dyzuara në kohë dhe hapësirë, bartës jetëshkrimesh të dyshimta, janë qenie dhe mosqenie, të identifikueshëm dhe të paidentifikueshëm etj. Prandaj në bazë të rolit të tyre del se e tashmja është peng i të shkuarës, transformimi shoqëror është traumatik, zhvillimi normal pengesë për shkak të së kaluarës, veprimi racional i sotëm është ngulfatje nga botëkuptimi i vjetër iracional. Megjithatë, këto dy imazhe kaq antitetike bëhen vazhdimësi të njëra-tjetrës, të dukshme dhe të padukshme. Rrëfimi në mënyrë digresive është ndërfutje e domosdoshme për ta krijuar varësinë apo simbiozën e çuditshme të realitetit shqiptar. Në fakt, vetë personazhet janë pengje të dyzimit të tyre, sepse për nga mendësia i përkasin të kaluarës, por për nga veprimi i përkasin të sotmes. Dhe pikërisht ky duplex rrëfimor aq më tepër e përforcon antagonizmin e brendshëm të Shqipërisë e cila nuk çlirohet e nuk shkëputet aq lehtë nga e kaluara e vështirë. Është kjo një dhembje tragjike që ndihet në rrafshin e perceptimit, ku lexuesi mund ta krijojë përshtypjen e vet reale për Shqipërinë. Thjesht metafora e teleskopit e grish në këtë sferë për ta zhbiruar e aktivizuar të vërtetën e cila është koncept i vetmuar dhe i ngrirë brenda kohës. Megjithëse në qendër të vëmendjes është vështrimi horizontal dhe vertikal i Shqipërisë, prapëseprapë, në esencë aty vëzhgohet individi në kuptimin konstruktiv dhe destruktiv. Prandaj nocioni autoportret na shpie drejt kësaj logjike determinuese, për të parë secili vetveten në kontekstin e kohës dhe hapësirës gjegjëse, në marrëdhënie me shtetin dhe atdheun. Mbase me këtë na e ngjall ndjenjën e përgjegjësisë individuale para asaj kolektive. Me fjalë të tjera, individi është peng i kohës së vet, porse në këtë rast e keqja e tij është se po bëhet peng i dyfishtë, edhe i të kaluarës, edhe i të tashmes.
Duke i përplasur këto dy kohë të kundërta me njëra-tjetrën, autori ia del të bëjë autopsinë e thellë psikologjike të shoqërisë shqiptare, duke zhbiruar shkaqet dhe pasojat e shumta që manifestohet në forma të ndryshme. Është kjo një shtysë e brendshme morale dhe atdhetare që perceptohet nga vetë konteksti i rrëfimit të ngjarjeve përplot skena dhe prapaskena. Në të vërtëtë, autori (rrëfimtari) sjell plot dëshmi për kohën e tij si diplomat dhe si shkrimtar, por njëherazi në kontekstin narrativ e vendos edhe nocionin eteleskopit për ta vrojtuar atë ecuri përplot intriga e djallëzi, të cilat arrijnë deri në shkallën e absurdeve.
Jo rastësisht, ngjarjet fillojnë në një mjedis të huaj, për të na e bërë me dije se si shihet Shqipëria nga Brukseli apo nga ndonjë qendër tjetër europiane. Nëpërmjet një takimi në Monako, autori arrin të zbulojë fijet e holla e të padukshme të gjërave që lidhen me fatin e Shqipërisë. Paraqitja e një skandali diplomatik, ku si personazh shfaqet një shkrimtar finlandez, Arto Paasilinna, është rast ndoshta banal në shikim të parë, por “teleskopi” rrëfimor i Besnik Mustafajt e bën atë të ndërlikuar, tepër zhbirues në retrospektivën e vet ku janë të përfshirë shumë gjerë dhe shumë veprime të fshehta. Shndërrimi i këtij rasti në sherr diplomatik nga ana e eprorit të autorit, është vetëm një shfaqje formale, ndërkaq prapavija e tij, është tmerrësisht e gjerë dhe e thellë. Pra të gjitha këto i zbulon me anë të një kërkimi të vazhdueshëm ku ngjarjet dhe personat thuajse vijnë vetvetiu dhe spontanisht. Mjafton vetëm vëmendja për t’i ndërlidhur ato në kontekstin e veprimeve dhe të krijohet mozaiku i qartë. Përballë të gjitha këtyre, diplomati dhe shkrimtari Besnik Mustafa duket si një rastësi e zbritur nga qielli, për t’i shënuar në mbamendjen e tij dhe për t’i rrëfyer brenda romanit, si një dhuratë për lexuesin e vëmendshëm i cili pastaj fare lehtë mund t’i zbërthejë vetë me intuitën e tij.
Duke u nisur nga kjo strukturë e romanit, mund të themi se kemi të bëjmë me një vepër të hapur, siç do ta quante Umberto Eko. Teksti letrar është materie provokuese dhe grishëse, sugjeruese dhe intriguese. Prandaj, leximi i vëmendshëm të jep kënaqësinë për të manovruar me imagjinatën dhe intuitën personale, duke identifikuar Shqipërinë si metaforë tragjike në kontekst të kohës dhe hapësirës.
Si rezultat i kësaj mund të konstatojmë gojaplotas se ky roman si rrallë ndonjë vepër tjetër ka forcë dhe efekt të veçantë ndërgjegjës, për arsye se hulumton dhe zbërthen dimensionet psikologjike të ngjarjeve dhe veprimeve që zhvillohen në kurriz të Shqipërisë. Pa dyshim, një roman i këtillë të mundëson perceptim të thellë e real për jetën shqiptare përplot paradokse në epokën moderne e postmoderne.