Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), në mars 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 28 mld lekë, duke u rritur me 2,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 23,0 %, në krahasim me shkurt 2019.

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve në muajin mars 2019, në krahasim me mars 2018 janë: Italia (7,3 %), Kosova (86,8 %) dhe Maqedonia (45,6 %).

Të dhënat e detajuara tregojnë se rritja e eksporteve është ndikuar kryesisht nga tre grupe që janë makineri pajisje, ushqime dhe materiale ndërtimi, ndërkohë që eksportet e mineraleve dhe energjisë kanë shënuar rënie krahasuar me vjet.

Eksportet shqiptare po shënojnë rritje të konsoliduar gjatë viteve fundit, mbështetur nga trendi pozitiv që po ndjek ecuria e ekonomisë së vendit, rritja e prodhimit vendas dhe zgjerimi i investimeve.

Reformat në lehtësimin e shërbimeve, politikave fiskale dhe përmirësimin e klimës për të bërë biznes, kanë favorizuar sipërmarrjen shqiptare të rrisin shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese në shumicën e sektorëve, duke reflektuar edhe në rritjen e eksporteve.

INSTAT bën të ditur se, për sa i takon importit të mallrave, ato arritën vlerën 56 miliardë  lekë, duke u rritur me 1,1%, në krahasim me një vit më parë dhe me 12,1%, në krahasim me shkurt 2019.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 28 mld lekë, duke u ulur me 0,5 %, krahasuar me mars 2018 dhe rritur me 3,1 %, në krahasim me shkurt 2019, citon INSTAT.

Viti 2019 mund të konsiderohet një vit shumë pozitiv edhe pra për tendencën e shkëmbimeve tregtare Shqipëri-Kosovë. Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, rezulton se në muajin mars 2019 Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë 2.7 miliardë lekë duke njohur një rritje prej 1.2 miliardë lekësh në krahasim me marsin e vitit 2018.

Edhe në rang tremujorit rritja është e konsiderueshme. Në periudhën janar-mars, Shqipëri eksportoi në Kosovë mallra në vlerë 5.8 miliardë lekë, duke njohur një rritje prej 1.8 miliardë lekësh krahasuar me një vit më parë.

Çfarë po eksporton Shqipëria në Kosovë?

Referuar të dhënave të INSTAT, rezulton se ndikimin më të madh në këtë rritje e ka pasur grupi i mallrave “ minerale, energji elektrike dhe lendë djegëse”. Në mars 2019, Shqipëria eksportoi rreth 1.6 miliardë lekë duke njohur një “kërcim” të fortë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur nga ky grup mallrash u eksportuan vetëm 336 milion lekë.

Po ashtu, ka rritur ndjeshëm në përqindje edhe eksportet e ushqimeve, pijeve e duhanit në Kosovë. Në mars 2019 Shqipëri eksportoi këto mallra në vlerë 610 milion lekë ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë (mars 2018) u eksportuan 430 milion lekë.

Po ashtu rritje të eksporteve kanë njohur edhe grupmallrash “produkte kimike dhe plastike” dhe “prodhime druri dhe letre”.

Për më shumë Informacion vizitoni linkun:
http://www.instat.gov.al/…/5458/tregtia-e-jashtme-mars-2019